1000 euro bursa për studentët, Shqipëria dhe Kosova marrëveshje për arsimin

Shpërndaje

Ka hyrë në fuqi marrëveshja mes Kosovës dhe Shqipërisë për arsimin dhe kërkimin shkencor. Sipas kësaj marrëveshje dy shtetet do të ofrojnë 30 bursa për studentët deri në 1000 euro për vit akademik, për secilin përfitues.

Shqipëria dhe Kosova, kanë nisur bashkëpunimin, në fushën e arsimit. Sipas marrëveshjes e cila është botuar në fletoren zyrtare, studentët dhe institucionet do të shkëmbejnë në mënyrë të vazhdueshme informacione sa I takon dhe kërkimeve shkencore.

Bashkëpunimi do të shtrihet edhe në mbështetjen aktive të institucioneve të tyre në kuadrin e programeve arsimore të Bashkimit Evropian, të Këshillit të Evropës dhe të UNESCO-s.

Në marrëveshje thuhet se të dyja qeveritë, si ajo shqiptare dhe e Kosovës, do të ofrojnë 30 bursa për studentët deri në 1000 euro për vit akademik për secilin përfitues. Shpërndarja e bursave do të kryhet në bazë të legjislacionit të vendit përkatës.

Do të jenë grupet e punës, të përbëra nga 3-5 anëtare, të cilët do të realizojnë vizita në vendin e palës tjetër për shkëmbim përvoje, për një periudhë e cila do të përcaktohet nga veprimtaritë dhe parashikimet buxhetore përkatëse.