Tjetër aksident i rëndë në Turqi, kamioni përplas ekipet e emergjencës dhe qytetarët (Video)

Shpërndaje

Turqia nuk gjen paqe. Vetëm pak orë pas aksidentit të frikshëm në Gaziantep, ku 16 persona, mes tyre qytetarë, gazetarë, zjarrfikës dhe pjesëtarë të stafit mjekësor të ambulancave humbën jetën pasi u morën para nga një autobus që udhëtonte me shpejtësi, skena është përsëritur në Merdin.

Sipas mediave turke, një aksident midis dy automjeteve në lagjen Derik pranë një karburanti, është shndërruar në një tragjedi, pasi një kamion është futur mes për mes turmës së njerëzve dhe mjekëve të emergjencave që po trajtonin të lënduarit.

Në pamjet e para nga vendngjarja që ndodhet shumë pranë tregut të këtij rajoni shihet kaos total, teksa kamioni që vjen me shpejtësi ka marrë përpara njerëzit duke shkaktuar 16 viktima dhe 29 të plagosur, me 8 prej tyre që raportohen të jenë në gjendje të rëndë.

Mediat turke raportojnë se mes viktimave ka edhe shumë fëmijë.

Ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca ka konfirmuar numrin e viktimave, ndërsa ministri i Brendshëm Süleyman Soylu ka bërë një deklaratë për aksidentin në llogarinë e tij në rrjetet sociale.

Në deklaratën e tij, Koca tha: “U tronditëm nga lajmi i një aksidenti të dytë trafiku. 16 persona humbën jetën në aksidentin i cili ndodhi si pasojë e shkëputjes së frenave në kamionin që hyri në mes të turmës, në rrethin Derik”.

“Fatkeqësisht sot ka qenë dita e fatit tonë të keq për aksidente trafiku. Në të njëjtin vend në Mardin Derik kanë ndodhur 2 aksidente me kamion. Të gjitha ekipet tona janë të mobilizuara. Sipas raportimeve të para, kemi 10 viktima. Të lënduarit tanë po transportohen në spitale. Shërim të shpejt. Zoti na mëshiroftë”, tha Soylu.