BotaTop Lajme

Izraeli lejon hyrjen e produkteve për qëllime argëtuese në Gaza, por bllokon ilaçet

Shpërndaje

Izraeli po lejon produktet për qëllime argëtuese në Rripin e Gazës ndërsa bllokon aksesin e ilaçeve dhe furnizimeve thelbësore mjekësore në spitalet që ende vuajnë nga efektet e gjenocidit, raporton Anadolu.

Drejtori i përgjithshëm i Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza, Munir al-Bursh tha për AA se “Izraeli po mbush Rripin e Gazës me produkte dytësore, artikuj për argëtim dhe telefona modernë, ndërsa po i mbyll kufijtë për ilaçe, serume, antibiotikë, makina dialize dhe furnizime kirurgjikale”.

Këtë situatë Al-Bursh e përshkroi si “përpjekje për të zbukuruar bllokadën me një vitrinë mashtruese komerciale”. Ai vuri në dukje se spitaleve u mungojnë pajisjet e duhura, sallat e operacionit janë pa pajisje, ilaçet shpërndahen në sasi të kufizuara dhe se karburanti dhe komunikimi janë pothuajse tërësisht inekzistente.

Ai thotë se sistemi shëndetësor në Gaza funksionon në kushte që nuk janë të ngjashme me asnjë sistem tjetër shëndetësor në botë, duke u bërë “një lloj zone mbijetese e përditshme” me burime pothuajse inekzistente.

– Problemi për ilaçet dhe furnizimet mjekësore në kulmin e tij

Pasi ndau të dhënat më të fundit mbi sektorin e rrënuar shëndetësor pas gjenocidit dhe armëpushimit, Al-Bursh tha se mungesa e ilaçeve thelbësore ka arritur në 54 për qind, mungesa e ilaçeve emergjente në 40 për qind dhe shkalla e mungesës së furnizimeve mjekësore në 71 për qind, duke shënuar nivelin më të lartë në historinë e Gazës.

Ai tha se 82 për qind e fëmijëve nën një vjeç në Gaza vuajnë nga anemia dhe se 18.100 pacientë presin të largohen nga Gaza për trajtim. Sipas tij, 1.000 pacientë kanë humbur jetën teksa prisnin të largoheshin nga Gaza për trajtim pavarësisht se kishin dokumentacion zyrtar dhe se rreth 6.000 njerëzve u janë amputuar gjymtyrët pa zbatuar asnjë program rehabilitimi.

Zyra e medias e qeverisë së Gazës më parë ka deklaruar se Izraeli ka bllokuar hyrjen e mbi 350 artikujve ushqimorë thelbësorë të nevojshëm për fëmijët, pacientët, të plagosurit dhe grupet e pambrojtura në Rripin e Gazës ndërsa ka lejuar hyrjen e ushqimeve të pashëndetshme me vlerë të ulët ushqyese.