RajoniTop Lajme

Haxhiu kritikon Avokatin e Popullit për reagimin mbi moscertifikimin e Listës Serbe

Shpërndaje

Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklarimit të Avokatit të Popullit lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke e cilësuar qëndrimin e tij të çuditshëm dhe të padrejtë.Në një postim në Facebook, Haxhiu ka kritikuar Avokatin e Popullit për, siç tha ajo, fokusim të padrejtë ndaj çështjes së Listës Serbe, duke kujtuar se ky subjekt politik “nuk e njeh rendin kushtetues të Republikës së Kosovës” dhe se “nuk është distancuar” nga sulmi i armatosur në Banjskë.

Ajo ka përmendur gjithashtu faktin që Lista Serbe ka pasur në udhëheqje Milan Radojçiqin, i cili nga autoritetet kosovare konsiderohet si organizator i sulmit në Banjskë.“Si është e mundur që për një subjekt si Lista serbe që lufton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, nuk e njeh Kosovën, e ka pasur nënkryetar kryekriminelin Radojçiq dhe jo vetëm që nuk është distancuar nga akti terrorist në Banjskë, por ka mbajtur tre ditë zie për terroristët e vrarë aty, IAP shprehet i shqetësuar me kaq lehtësi? Edhe më e rëndë bëhet gjendja kur marrim parasysh se Avokati i Populli nuk ka shfaqur asnjë shqetësim për tendencat e vazhdueshme dhe vendimet që po vështirësojnë votimin e mërgatës sonë”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas saj, KQZ nuk po ushtron diskriminim ndaj komunitetit serb, duke theksuar se disa subjekte të tjera serbe tashmë janë certifikuar për zgjedhje, ndërsa arsyet e moscertifikimit të LS-së “janë të njohura dhe të justifikuara”.“IAP nuk duhet të funksionojë me standarde të dyfishta. Vendimi i KQZ nuk është kundër subjekteve serbe dhe as qytetarëve serb sepse tashmë KQZ ka certifkuar disa subjekte serbe. Arsyet për moscertifikimin e LS tashmë janë të njohura dhe të justifikuara. Ky lloj selektiviteti bie ndesh me parimet e transparencës dhe paanshmërisë që IAP duhet t’i mbrojë”, ka përfunduar ajo.

Ndryshe, Avokati i Popullit ka vlerësuar se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme është marrë pa bazë të qëndrueshme juridike dhe në kundërshtim me procedurat e përcaktuara me ligj.

Avokati i popullit:

Moscertifikimi i Listës Serbe, Avokati i Popullit: Vendim pa bazë juridike

Avokati i Popullit shpreh shqetësim lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të datës 2 dhjetor 2025, për moscertifikimin e partisë politike Lista Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës.

Ky vendim, i cili refuzon për herë të dytë kërkesën e këtij subjekti politik, konsiderohet i paarsyeshëm dhe në kundërshtim me procedurat ligjore.

Avokati i Popullit thekson se përshtatshmëria politike vendoset nga qytetarët përmes votës së lirë dhe jo nga vendime administrative.

Sipas tij, e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur është një nga shtyllat thelbësore të demokracisë, dhe shteti ka detyrimin të sigurojë kushte të barabarta dhe procedura të drejta për të gjithë subjektet politike.

“Çdo ndërhyrje e pajustifikuar që pengon pjesëmarrjen e një subjekti politik cenon të drejtën themelore dhe ndikon drejtpërdrejt në integritetin e procesit zgjedhor,” thuhet në komunikatë.

Avokati i Popullit rikujton se të gjitha subjektet politike që paraqitën kandidaturat për zgjedhjet e parakohshme kaluan procedurat ligjore të verifikimit dhe kontrollit, dhe se KQZ-ja kishte detyrimin të certifikonte subjektet që plotësojnë kërkesat ligjore.

Ai shton se ndërhyrjet që ndalojnë pjesëmarrjen e një partie duhet të bazohen vetëm në ligj të qartë dhe vendime të gjykatës, e jo në qëndrime politike.

Avokati i Popullit mirëpret reagimet e aktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët theksuan se moscertifikimi i një subjekti politik cenon të drejtat e njeriut dhe besimin në procesin zgjedhor.

Ai kërkon nga organet kompetente që të rishikojnë vendimin e KQZ-së dhe të veprojnë në përputhje me ligjin dhe kushtetutën, duke garantuar mbrojtjen e së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.