Festa e Flamurit, MPB-ja me procedurë për kundërvajtje ndaj Mendi Qyrës
Pendimi për mospërdorimin e flamurit shtetëror në festimet për 28 nëntorin, nuk e shpëtoi kreun e Strugës, Mendi Qyra.
Policia në Strugë dorëzoi kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse kundër Komunës së Strugës dhe kryetarit të saj Mendi Qyra për një vepër të kryer në kundërshtim me nenin 6, dhe të dënueshme sipas nenit 11 të Ligjit për përdorimin e flamujve të komuniteteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimit të policisë, të pandehurit, si organizatorë të një eventi me rastin e Ditës së Flamurit Shqiptar, në rrugën Marshall Tito në Strugë, nuk e shfaqën ose vendosën flamurin shtetëror. Nëse ngrihet procedura, komuna e Strugës do të gjobitet nga 30 mijë deri në 200 mijë denarë, ndërsa kreu i komunës, Mendi Qyra do të duhet të paguajë gjobë nga 10 mijë deri në 30 mijë denarë si person përgjegjës.
Qyra: Kam marrë porosi nga Mickoski për mosrespektimin e flamurit shtetëror, nuk e kam bërë me qëllim
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra konfirmon porosinë e kryeministrit Mickoski i cili ka reaguar për manifestimin me rastin e 28 Nëntorit në Komunën e Strugës.
Megjithatë kreu i Strugës shpreson se do të vazhdojë të bashkëpunojë me OBRM-PDUKM-në sa i përket Këshillit të Komunës dhe projekteve të tjera në të mirë të të gjithë qytetarëve të Strugës.
“Nuk e kam dëgjuar deklaratën e kryeministrit, shpresoj se ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë dhe unë shpresoj që këshilltarët e OBRM-PDUKM-së do të na mbështesin edhe për këshillin, sepse do të kemi një marrëveshje dhe ne do të bashkëpunojmë në komunë e Strugës. Unë nuk kam dëgjuar dhe nuk dua të komentoj se çka ka thënë Kryeministri. Unë kam shpresë se Kryeministri do të shohë interesat e komunës së Strugës siç mendoj unë sepse unë jam kryetar i Komunës së Strugës për të gjithë qytetarët dhe për të mirat e komunës së Strugës dhe në këtë rast do të kem mbështetjen edhe të kryeministrit por edhe të OBRM-PDUKM-së por edhe të forcave të tjerë në komunë e Strugës”, theksoi Qyra.
Qyra pranon se vërejtja e Mickoskit kishte të bëj me anashkalimin e flamurit shtetëror.
“Në SMS-në që e mora në ditën e flamurit, sigurisht që vërejtja ishte pse nuk ishte flamuri shtetëror për të cilën unë i thash se kjo ka ndodhur për arsye se unë vetëm 15 ditë jam në këtë post dhe kjo është manifestuar gjithmonë në këtë formë dhe unë nuk e kam bërë me qëllim dhe besoj se kjo është një lëshim i cili do të përmirësohet herëve tjera…jo ai nuk paraqiti ndonjë shqetësim të madh, sigurisht e bëri vërejtjen e vet dhe ajo ishte një vërejtje e shkurtër dhe nuk komentuam gjëra të gjata”, tha Qyra./Alsat/

