Ahmeti: Ky Kongres nuk është vetëm partiak, por një vizion për të ardhmen e vendit
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në fjalimin e tij në Kongresin që po mbahet sot në Shkup, deklaroi se ky tubim paraqet një moment kyç jo vetëm për BDI-në, por edhe për rrugëtimin shtetëror të Maqedonisë së Veriut, raporton TS.
Ahmeti theksoi se Kongresi nuk duhet parë si një proces i zakonshëm organizativ partiak, por si një ndalesë reflektimi dhe një pikënisje për një fazë të re të zhvillimit politik dhe shtetëror të vendit.
“Bashkimi Demokratik për Integrim nuk lindi si parti e zakonshme. Ne lindëm nga nevoja për paqen, nga kërkesa për barazi dhe nga bindja se ky vend mund të jetë i qëndrueshëm vetëm nëse është i drejtë dhe me mundësi të barabarta,” u shpreh Ahmeti.
Duke iu referuar Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, lideri i BDI-së tha se ajo nuk ishte një kompromis i thjeshtë politik, por një vizion afatgjatë dhe një përgjegjësi e përbashkët për ndërtimin e një shteti demokratik dhe me perspektivë euro-atlantike.
“Ne ndërtuam paqen përmes Marrëveshjes së Ohrit. Ajo ishte dhe mbetet vizion për barazi të plotë dhe demokraci funksionale,” theksoi Ahmeti.
Ai shtoi se BDI ka kaluar nga lufta për të drejta në ndërtimin e institucioneve dhe nga përballjet politike në procesin e shtetformimit, duke u shndërruar sot në një forcë që mbron karakterin unitar të shtetit përmes besimit, përfaqësimit dhe barazisë funksionale.
Kongresi i BDI-së pritet të sjellë vendime të rëndësishme për reformimin e partisë dhe përcaktimin e drejtimit të saj politik në periudhën e ardhshme.

