RajoniTop Lajme

SHBA-ja nis operacionin “Hawkeye Strike” në Siri, shjënjestron pozicionet e DEASH-it

Shpërndaje

SHBA-ja nisi një operacion në Siri në hakmarrje për sulmin vdekjeprurës të 13 dhjetorit ndaj forcave amerikane në Palmyra, njoftoi të premten Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, transmeton Anadolu.

“Më herët sot, forcat amerikane nisën operacionin ‘Hawkeye Strike’ në Siri për të eliminuar luftëtarët e DEASH-it, infrastrukturën e tyre dhe objektivat e armëve”, shkroi Hegseth në platformën sociale amerikane X.

Operacioni u përshkrua si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj sulmit, i cili kishte në shënjestër personelin amerikan të vendosur në Sirinë lindore.

“Kjo nuk është fillimi i një lufte — është një shpallje hakmarrjeje”, tha Hegseth, duke shtuar se SHBA-ja “nuk do të hezitojë kurrë dhe nuk do të tërhiqet kurrë për të mbrojtur njerëzit tanë”.

Ai tha se SHBA-ja ka “ndjekur dhe vrarë” disa individë gjatë goditjes dhe la të kuptohet se veprimet do të vazhdojnë.

“Nëse shënjestroni amerikanët — kudo në botë — do ta kaloni pjesën e mbetur të jetës suaj të shkurtër dhe të mbushur me ankth duke ditur se Shtetet e Bashkuara do t’ju ndjekin, do t’ju gjejnë dhe do t’ju vrasin pa mëshirë”, paralajmëroi ai.

Presidenti amerikan Donald Trump tha se goditjet ishin një “hakmarrje shumë serioze” dhe përmbushje e premtimit të tij për të reaguar.

“Po godasim shumë fort bastionet e DEASH-it në Siri”, shkroi ai në platformën e tij Truth Social, duke iu referuar Sirisë si “një vend i përgjakur që ka shumë probleme, por që ka një të ardhme të ndritur nëse DEASH-i mund të zhduket”.

Ai theksoi se kishte pritur kthimin në atdhe të trupave të amerikanëve të rënë në një “ceremoni shumë dinjitoze” më herët gjatë javës.

Trump tha se qeveria siriane ishte “plotësisht mbështetëse” e operacionit dhe iu referua udhëheqësit të Sirisë si “një njeri që po punon shumë për t’i rikthyer madhështinë Sirisë”.

“Të gjithë terroristët që janë aq të këqij sa të sulmojnë amerikanët paralajmërohen këtu — do të goditeni më fort se kurrë më parë nëse, në çdo mënyrë, sulmoni apo kërcënoni SHBA-në”, shtoi ai.

Vendndodhja e saktë, numri i viktimave apo detaje të tjera operative të goditjes amerikane nuk janë bërë publike.

Sulmi vdekjeprurës më herët këtë muaj nga anëtarë të grupit terrorist DEASH në Sirinë qendrore mori jetën e dy ushtarëve amerikanë dhe një civili.