MaqedoniTop Lajme

Ali Ahmeti: Reformë të thellë në BDI, Kongresi i Pestë hap kapitull të ri me gjeneratë të re dhe barazi më të fortë

Shpërndaje

Dje, në Kongresin e Pestë të Bashkimit Demokratik për Integrim, dëshmuam diçka të rrallë në politikë: pjekuri, përgjegjësi dhe guxim për ndryshim.

BDI zgjodhi të reformohet thellë, jo për hir të formës, por për hir të së ardhmes. Me ndryshime thelbësore në strukturë, përbërje dhe akte themelore, partia jonë tregoi se di të rinovohet pa e humbur boshtin e saj ideologjik dhe politik.

Jam mirënjohës për besimin dhe rikonfirmimin tim si kryetar.

Më shumë se 60% Këshillit të Përgjithshëm përbëhet nga anëtarë të rinj, dhe se kjo përqindje reflektohet edhe në strukturën Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm, e cila poashtu më shumë se 60% përbëhet nga anëtarë të rinj, ndërsa përfaqësimi i grave ka arritur një nivel dinjitoz që flet për seriozitetin tonë ndaj barazisë dhe gjithëpërfshirjes, nga 5 gra në përbërjen e kaluar, në këtë përbërje kemi dyfishin, kemi 10 zonja të nderuara. Në Kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm kemi edhe 3 të rinj deri në moshën 29 vjeçare, për dallim nga e kaluara kur nuk përfaqësoheshin fare të rinjtë në këtë organ.

Autorët e iniciativës për reformë janë pikërisht ata që sot, me dinjitet, ia lëshuan vendin brezit të ri.

Mbi shpatullat e tyre po rritet një gjeneratë e re, e gatshme të mbajë përgjegjësi.

BDI mbetet një forcë politike stabile, reformuese dhe e përgatitur për sfidat që vijnë. Me njerëz, ide dhe energji të reja por gjithmonë besnike ndaj misionit të saj për përfaqësim dinjitoz, barazi dhe zhvillim demokratik.

Faleminderit të gjithë delegatëve, strukturave dhe anëtarësisë për këtë kapitull të rëndësishëm të përbashkët.

Vazhdojmë BASHKË!
A.A