Bekim Sali merr zyrtarisht detyrën e ministrit për Çështje Evropiane: Integrimi në BE mbetet prioritet strategjik
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka marrë sot zyrtarisht detyrën e ministrit nga ish-ministri Orhan Murtezani, në ambientet e Ministrisë për Çështje Evropiane.
Postimi nga Bekim Sali:
Sot, në ambientet e Ministrisë për Çështje Evropiane, mora zyrtarisht detyrën e Ministrit për Çështje Evropiane nga ish-ministri Orhan Murtezani. Me këtë rast, e falënderova për angazhimin dhe kontributin e tij të deritanishëm në avancimin e proceseve reformuese dhe integruese të vendit.
Gjatë takimit, diskutuam për agjendën reformuese, e cila po zhvillohet në drejtimin e duhur dhe me një dinamikë të përshpejtuar, në përputhje me standardet dhe pritshmëritë evropiane.
Integrimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian mbetet një prioritet strategjik i Qeverisë, ndërsa angazhimi ynë do të jetë i palëkundur për përmbushjen e reformave të nevojshme dhe përshpejtimin e rrugëtimit evropian të vendit.

