Kurti premton dyfishim të bursave për studentë në Kosovë
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, mirëpritën sot në kryeministri një grup të studentëve universitarë, përfitues të Masës 3.8, përkatësisht të programit të Bursës së Mobilitetit për Studentë.
Gjatë prezantimit të kësaj mase, në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se me Bursën e Mobilitetit për Studentët, qeveria jonë po adreson një sfidë reale, me të cilën përballen shumë studentë ndër vite, e kjo është kostoja e udhëtimit drejt universitetit. Kjo skemë është e bazuar në nevojë dhe e dizajnuar mbi parimin e drejtësisë sociale, sepse ne besojmë që distanca gjeografike dhe gjendja ekonomike, nuk duhet të jenë pengesë për arsimim cilësor.
“Ne e dimë se për shumë familje, shpenzimet e përditshme të transportit janë barrë e rëndë. Prandaj, kjo bursë nuk është vetëm mbështetje financiare, është mesazh i qartë se shteti është në anën tuaj dhe se investimi në arsim është investim në të ardhmen e Kosovës”, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se vetëm këtë vit, Qeveria ka mbështetur studentët edhe me 100 euro përkrahje të njëhershme për fillimin e vitit akademik, për t’ju ndihmuar në përballimin e shpenzimeve financiare, ka fuqizuar skemën e bursave për fushat STEM, sepse Kosova ka nevojë për më shumë inxhinierë, programerë e inovatorë që do ta çojnë vendin përpara.
Më tej, kryeministri Kurti kujtoi se një tjetër hap i rëndësishëm që kemi marrë qysh në fillimin e qeverisjes, është arsimimi universitar publik pa pagesë, sepse siç tha ai, ne besojmë që arsimi i lartë nuk duhet të jetë privilegj, por një e drejtë dhe tashmë janë afër 200 mijë studentë që kanë përfituar nga kjo situatë, në të cilën edhe për Bachelor edhe për Master, studimet janë falas.
Duke i vlerësuar studentët si pasurinë më të madhe të këtij vendi, kryeministri tha se investimi në ju është investim në zhvillim ekonomik, në drejtësi sociale dhe në një shoqëri më të barabartë. Nga ana jonë, angazhimi ynë mbetet i qartë: të ndërtojmë politika që ju mbështesin, ju fuqizojnë dhe ju japin mundësi reale për sukses.
Në fund të fjalës, kryeministri Kurti tha se Kosova ka nevojë për dijen, energjinë dhe vizionin tuaj, duke theksuar se gjatë këtij mandati qeverisës, i kemi ndarë diku afër 18 mijë bursa në një buxhet të gjithmbarshëm prej rreth 20 milionë euro dhe në vijim do ta dyfishojmë buxhetin për bursa.
“Nuk ka kategori shoqërore, e cila mund të të tregojë se kah po shkon zhvillimi socio-ekonomik e kulturor i një vendi, sikurse ajo e studentëve të universitetit. Andaj, ju uroj suksese në studime dhe rrugëtim të mbarë akademik” u shpreh në fund kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Faleminderit ministër Hekuran,
Të dashur studente dhe studentë,
Është kënaqësi që jam sot këtu bashkë me juve dhe që e kemi këtë moment kaq të rëndësishëm për rrugëtimin tuaj akademik dhe profesional. Nuk jemi duke folur vetëm për një skemë mbështetëse financiare, por edhe për një vizion më të gjerë, atë për një Republikë, ku arsimi është i qasshëm, i drejtë dhe i barabartë për të gjithë.
Tash, me Bursën e Mobilitetit për Studentët, Qeveria e jonë po adreson një sfidë reale, me të cilën përballen shumë studentë ndër vite, e kjo është kostoja e udhëtimit drejt universitetit. Kjo skemë është e bazuar në nevojë dhe e dizajnuar mbi parimin e drejtësisë sociale, sepse ne besojmë që distanca gjeografike dhe gjendja ekonomike, nuk duhet të jenë pengesë për arsimim cilësor.
E dimë që shumë familje, shpenzimet e përditshme të transportit i kanë barrë të rëndë. Prandaj, edhe kjo bursë nuk është veçse përkrahje financiare, është mesazh i qartë se shteti është në anën tuaj dhe se investimi në arsim, është investim në të ardhmen e Kosovës.
Por, kjo nuk është masa e vetme, siç besoj e dini të gjithë. Vetëm këtë vit, Qeveria ka mbështetur studentët edhe me 100 euro përkrahje të njëhershme për fillimin e vitit akademik, pra në vjeshtën sivjet, për t’ju ndihmuar me përballimin e shpenzimeve financiare. Gjithashtu, e kemi fuqizuar skemën e bursave STEM, Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, meqenëse Kosova ka nevojë për më shumë inxhinierë, inovatorë e programerë, të cilët do ta çojnë vendin përpara.
Një tjetër hap i rëndësishëm që kemi marrë qysh në fillimin e qeverisjes, është arsimimi universitar publik pa pagesë, sepse ne besojmë që arsimi i lartë nuk është një privilegj, por një e drejtë dhe tashmë janë afër 200 mijë studentë që kanë përfituar nga kjo situatë, në të cilën edhe për Bachelor edhe për Master, studimet janë falas. Pra, ka një pagesë vetëm për doktoraturën.
Të dashur studente,
Ju jeni pasuria më e madhe e këtij viti dhe e këtij vendi. Investimi në ju është investim në zhvillim ekonomik, në drejtësi sociale dhe në shoqëri më të barabartë. Pikërisht gjendja juaj, tregon se çfarë do të jetë e ardhmja e vendit tonë. Nga ana jonë, angazhimi ynë mbetet i qartë: të ndërtojmë politika, të cilat ju mbështesin, ju fuqizojnë dhe ju japin mundësi reale për sukses.
Edhe Hekurani edhe unë kemi qenë dikur studentë. Kjo nuk do të thotë se jemi nostalgjikë, por nuk do të thotë edhe që nuk jemi nostalgjik. Me fjalë të tjera, është e rëndësishme që të studiojmë gjatë tërë jetës, por vitet vendimtare, janë pikërisht ato kur studimet i bëjnë studentët dhe ne dëshirojmë me krejt çka dimë dhe mundemi, t’ju ndihmojmë, t’ju përkrahim, në mënyrë që kur ta merrni diplomën e universitetit, të jeni sa më të përgatitura e më të përgatitur, jo veç për vendin tonë, por edhe për konkurrencën që kemi me vendet e tjera, me korporatat botërore në një treg gjithnjë e më të integruar të dijeve, të përvojave, të ideve, të mallrave e të shërbimeve.
Presim përkushtim, punë dhe besim në veten tuaj. Kosova ka nevojë për dijen, energjinë dhe vizionin tuaj.
Gjatë këtij mandati qeverisës, i kemi ndarë diku afër 18 mijë bursa në një buxhet të gjithmbarshëm prej rreth 20 milionë euro dhe në vijim do ta dyfishojmë buxhetin për bursa.
Nuk ka kategori shoqërore, e cila mund të të tregojë se kah po shkon zhvillimi socio-ekonomik e kulturor i një vendi, sikurse ajo e studentëve të universitetit.
Andaj, ju uroj suksese në studime dhe rrugëtim të mbarë akademik. Qeveria do të vazhdojë të qëndrojë përherë edhe kurdo pranë jush.
Faleminderit.


