Afrim Gashi uron Kryeministrin Albin Kurti për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Kosovë
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e përfundimit të suksesshëm të zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Kosovës, duke vlerësuar procesin demokratik dhe duke uruar Kryeministrin Albin Kurti për fitoren dinjitoze dhe besimin e ripërtërirë qytetar.
Urimi i plotë:
Në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, përgëzoj mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Kosovës.
Uroj veçanërisht Kryeministrin z. Albin Kurti për fitoren dinjitoze. Ky rezultat zgjedhor konfirmon besimin dhe mbështetjen qytetare për vizionin dhe përkushtimin e Lëvizjes Vetëvendosje. Përgëzoj gjithashtu të gjitha subjektet politike për pjesëmarrjen konstruktive, si dhe qytetarët e Kosovës për kulturën dhe pjekurinë demokratike që kanë treguar.
Mbetemi të përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera fqinjësore e vëllazërore, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy vendeve tona, në interes të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit europian të rajonit.

