Kryeministri Mickoski mohon që Qeveria të ketë ushtruar presione apo mobing ndaj pushtetit gjyqësor
Kryeministri Hristijan Mickoski hodhi poshtë akuzat e numrit një të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski për presion dhe mobing ndaj pushtetit gjyqësor. Mickoski theksoi se me të nuk ka komunikim dhe as nuk ka bërë mobing dhe as nuk e mendon një gjë të tillë.
“Nuk e di në cilën pjesë është mobingu, dhe në cilën pjesë është presioni. Do të duhet atë ta pyesni që të thotë, unë nuk do të kem çfarë të them, sepse unë absolutisht as nuk kam komunikim, as një asnjë mënyrë nuk bëj mobing, kështu që ndoshta duhet ta pyesni të jetë më konkret në cilën pjesë e mendon atë”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Kostadinovski ditë më parë gjatë fjalimit të fundvitit mes të tjerash drejtoi kritika jo vetëm ndaj ligjvënësit por edhe ndaj pushtetit ekzekutiv, ku akuzoi për presion.
“Nuk duhet të lejohet mbifuqi dhe dominim të një pushteti ndaj tjetrit, Kuvendin e kritikova se është një makineri votimi. Edhe ligjvënësi edhe pushteti ekzekutiv bëjnë mobing mbi pushtetin gjyqësor”, deklaroi Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Kostadinovski gjatë fjalimit të fundvitit tha se gjykata e ka kaluar testin e profesionalizmit, përgjegjësisë dhe veprimit të paanshëm dhe të pavarur edhe në periudha, ku siç tha, ishin të sulmuar dhe etiketuar me kualifikime dhe të pavërteta. Kostadinovski tha se ka pasur shumë presione dhe manipulime. /Alsat.mk

