MaqedoniTop Lajme

Miratohet buxheti i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami: Tetova s’ndalet!

Shpërndaje

Këshilli i Komunës së Tetovës ka miratuar me shumicë votash buxhetin për vitin 2026, i cili kap vlerën mbi 44 milionë euro. Kryetari i Komunës, Bilall Kasami, pas miratimit të buxhetit deklaroi se ky dokument financiar pasqyron përgjegjësi, vizion dhe angazhim për zhvillim të qëndrueshëm të qytetit.

Sipas Kasamit, buxheti i vitit 2026 hap rrugë për investime konkrete, realizimin e projekteve të reja dhe përmirësimin e drejtpërdrejtë të cilësisë së jetës së qytetarëve të Tetovës.

“Me shumicë votash u miratua buxheti për vitin 2026 – një buxhet që reflekton përgjegjësi, vizion dhe angazhim për zhvillim të qëndrueshëm. Me këtë vendim hapim rrugë për investime konkrete, projekte të reja dhe përmirësim të drejtpërdrejtë të jetës së qytetarëve”, ka shkruar Kasami.

Ai falënderoi këshilltarët komunalë për sugjerimet, idetë dhe debatin konstruktiv gjatë diskutimit të buxhetit, duke theksuar se bashkëpunimi institucional është kyç për realizimin e synimeve zhvillimore.

“Falënderoj këshilltarët për sugjerimet, idetë dhe debatin konstruktiv. Tetova s’ndalet”, përfundoi Kasami.