Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në Akademinë Përkujtimore për Ish-Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Akademik Nexhat Daci
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore për ish-Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe deputetin, Akademik Nexhat Daci, që u mbajt në Sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
I dhamë lamtumirën e fundit Prof. Nexhat Dacit. Që nga universiteti dhe akademia e shkencave e deri te politika shtetërore moderne, ndodhen gjurmët e pashlyeshme të tij: të shkencëtarit që hulumtoi dhe edukoi, të udhëheqësit politik e institucional që drejtoi dhe frymëzoi. Si një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, emri i tij u përjetësua në historinë e mëvetësisë dhe ngritjes së Republikës së Kosovës. Kujtimi për veprën dhe figurën e tij mbetet i pandashëm nga historia institucionale e Kosovës dhe memoria kolektive e popullit.
Fjala e ime e plotë në Akademinë Përkujtimore për ish-Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ish-Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademik Nexhat Daci:
E nderuara familje Daci,
E nderuar znj. Vjosa Osmani-Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,
I nderuari z. Dimal Basha, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,
I nderuari z. Fatmir Sejdiu, ish-president i Republikës së Kosovës,
E nderuar znj. Justina Shiroka-Pula, Kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,
Të nderuar ambasadorë në Republikën e Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore të vendit tonë,
Të nderuar ish-deputetë të të gjitha legjislaturave të Kuvendit të Kosovës,
Të nderuar krerë të subjekteve politike,
Të nderuar anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Në ditën e dytë të këtij viti të ri në të cilin sapo kemi hyrë, sot më 2 janar 2026, një rast morti na ka bërë bashkë këtu në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës. Në një periudhë të ndërmjetme për institucionin legjislativ të republikës sonë, teksa legjislatura e kaluar e Kuvendit është shpërndarë, ndërkaq legjislatura e re ende nuk është nxjerrë dhe konsoliduar, ky mort na bëri të bashkohemi këtu në Kuvendin e Republikës.
Dje, më 1 janar 2026, vdiq në moshën 81-vjeçare Profesor Nexhat Daci, ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, përveçse themelues dhe kryetar i partisë, Lidhja Demokratike e Dardanisë.
Sot, gjatë gjithë paradites, shumë njerëz kanë bërë homazhe për Dr. Nexhat Dacin, në hollin e Kuvendit të Kosovës, para se ne të mblidheshim në këtë akademi përkujtimore. Vdekja e Profesor Dacit, na ka mbledhur në këtë sallë plenare dhe në këtë ndërtesë, sepse karriera e tij politike është e lidhur ngushtë me këtë vend dhe me këtë institucion. Në dekadën e parë të periudhës së çlirimit në Kosovë, Nexhat Daci kishte qenë deputet i zgjedhur i këtij kuvendi ligjvënës, si dhe kryetar i tij, pra i Kuvendit të Kosovës dy herë: mes viteve 2000 – 2004 dhe 2004 – 2006.
Në Kosovën që sapo ishte çliruar më 1999, kur po viheshin themelet e një rendi të ri politik e vleror drejt demokracisë e mëvetësisë, e ku më së pari po ndryshonin rregullat e të folurit në publik, Nexhat Daci e pati për detyrë ta drejtonte diskutimin në Kuvendin e Kosovës, nga pozita e kryetarit. Me maturinë dhe qetësinë e tij karakteristike, ai dha shembull se si duhej kuvenduar në këtë kuvend dhe si duhej zhvilluar betejat politike nga foltorja dhe ulëset e këtij kuvendi.
Si deputet i Kuvendit të Kosovës, më 17 shkurt 2008, Nexhat Daci ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, i cili duke hedhur firmën e tij në atë dokument, e përjetësoi emrin e vet në historinë e themelimit dhe ngritjes së Republikës së Kosovës.
Por përtej angazhimit të tij politik, Profesor Nexhat Daci kishte hyrë në jetën politike të Kosovës nga bota akademike, gjegjësisht nga Universiteti i Prishtinës ku ai kishte qenë ndër anëtarët e parë të stafit akademik, si ligjërues në fushën e kimisë. Me sa duket, nga profili i tij prej kimisti, rrjedhte edhe përllogaritja e tij deri në doza të vogla të secilës fjalë dhe të secilit veprim në publik, për çka ai është fiksuar në kujtesën kolektive të qytetarëve të vendit tonë. Si politikan, Nexhat Daci ka ditur ta luaj rolin e një figure balancuese mes poleve, dhe, në skenën politike të Kosovës para dhe pak vite pas pavarësisë ishte e kundërta e polarizimit në skenë.
Si shkencëtar i kimisë, Dr. Nexhat Daci ka qenë origjinal dhe punëtor në studimet e tij, duke lënë pas një mori punimesh dhe veprash shkencore, nga karriera e tij e gjatë si profesor në Universitetin e Prishtinës. Nga këtej, profili i tij akademik kulmoi me të qenit anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe dy herë kryetar i saj, mes viteve 1999 – 2004 dhe 2018 – 2019.
Nga dje, Profesor Nexhat Daci u largua fizikisht prej ne të gjallëve, por ai do të mbetet mes nesh thjesht si njeri përmes brezave pasardhës të familjes së tij; do të mbetet si profil shkencëtari tek ish-studentët dhe kolegët e tij kimistë dhe akademikë; si dhe do të mbetet i referuar në diskursin politik për karrierën dhe trashëgiminë e tij politike e shtetërore.
Me përmasat e tij prej politikani dhe me profilin e tij prej shkencëtari, Profesor Nexhat Daci do të jetë një zë më vete, në faqet e historisë politike të shtetndërtimit të Kosovës dhe në historinë e arsimit dhe të shkencës në Kosovë. Nexhat Daci ishte shkencëtar para se të bëhej intelektual, ishte intelektual para se të bëhej politikan dhe ishte drejtues institucionesh shtetërore para se të bëhej kryetar partie politike.
Në përmbyllje të këtij fjalimi përkujtimor për Profesor Nexhat Dacin, ju lutem gjithsecilit, t’i pranoni ngushëllimet e mia për Profesor Dacin. Ngushëllime familjes Daci dhe familjarëve të tjerë të të ndjerit Nexhat Daci. Ngushëllime kolegëve nga Akademia e Shkencave dhe nga Universiteti i Prishtinës. Si dhe ngushëllime bashkëpunëtorëve dhe miqve të tij të të gjitha kohërave. U kujtoftë bashkë me kontributet e tij për popullin e Kosovës.
Ju faleminderit.

