Kasami kërkon kompromis për Qeverinë teknike dhe pjesëmarrje më të madhe të diasporës
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, mori pjesë në takimin e përbashkët me liderët e partive parlamentare dhe Kryeministrin, ku u zhvillua një diskutim konstruktiv si hap i rëndësishëm drejt rifillimit të dialogut politik në vend. Gjatë takimit, ai theksoi nevojën për qasje bashkëpunuese në proceset kyçe reformuese dhe ofroi në emër të VLEN-it një zgjidhje kompromisi lidhur me shfuqizimin e Qeverisë teknike—duke propozuar që ky ndryshim të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve të ardhshme, njofton albazone media.
Kasami ngriti gjithashtu çështjen e përfshirjes më të gjerë të diasporës në procesin zgjedhor, duke kërkuar që institucionet të identifikojnë mekanizma që lehtësojnë dhe garantojnë pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve jashtë vendit. Ai apeloi edhe për më shumë konstruktivitet nga opozita në miratimin e ligjeve reformuese, përfshirë zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe aktet tjera që kërkojnë shumicë të dyfishtë ose 2/3, të cilat janë kyçe për funksionimin demokratik të institucioneve.
Postimi i plotë:
Me liderët e partive parlamentare dhe kryeministrin zhvilluam takim konstruktiv, si pikënisje të dialogut politik.
Folëm për shfuqizimin e Qeverisë teknike, ndërsa në emër të VLEN-it ofrova zgjidhje kompromisi që Qeveria teknike të shfuqizohet pas zgjedhjeve të ardhshme.
Gjithashtu e ngrita si çështje që të gjejmë forma për të siguruar pjesëmarrje më të madhe të diasporës në zgjedhje.
Kërkova nga opozita më shumë konstruktivitet për votimin e ligjeve reformuese, Avokatit të Popullit dhe ligjeve të tjera që kërkojnë shumicë të dyfishtë ose 2/3.
Pres që opozita të reflektojë dhe të mos i bllokojë reformat dhe proceset në të mirën e qytetarëve.

