Donald Trump e fton Edi Ramën që të bëhet pjesë e Bordit të Paqes për Gazën
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se ka marrë ftesë nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes që do të jetë për të ndihmuar arritjen e paqes në Gazëa.
Rama ka thënë se s’mund të jetë më krenar se kaq me Shqipërinë dhe për gjithçka që është arritur për këto vite.
Njoftimi i plotë:
MIRËMËNGJES
dhe me nderin e kënaqësinë e ndarjes me ju të letrës që mora dje nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, duke ju falenderuar për privilegjin e besimit që më keni dhënë, si edhe duke ju siguruar se do të bëj deri në fund gjithçka duhet për ta lartësuar emrin e Shqipërisë e dinjitetin e shqiptarëve, ju uroj të diel të qetë
Bashkëlidhur përkthimi
16 Janar, 2026
Shkëlqësia e Tij
Edi Rama
Kryeministër i Shqipërisë
Tiranë
I nderuar Kryeministër,
Është një nder i madh për mua t’ju ftoj ju, si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, të më bashkoheni në një përpjekje Historike dhe Madhështore për forcimin e Paqes në Lindjen e Mesme dhe, njëkohësisht, të ndërmarrim një qasje të re plot guxim për zgjidhjen e Konfliktit Global!
Më 29 shtator 2025, shpalla Planin Gjithëpërfshirës për fundin e konfliktit në Gaza, një plan veprimi me 20 pika, i mbështetur menjëherë nga të gjithë Udhëheqësit Botërorë, përfshirë edhe Krerët kryesorë në Botën Arabe, Izrael, dhe Europë. Në vijim të këtij Plani, më 17 Nëntor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë mbizotëruese Rezolutën 2803, duke mirëpritur dhe mbështetur këtë plan.
Tani është koha që t’i kthejmë gjithë Ëndrrat në realitet. Bordi i Paqes është në zemër të këtij Plani dhe ky është Bordi më mbresëlënës dhe më me ndikim i krijuar ndonjëherë, i cili do të themelohet si një Organizatë e Re Ndërkombëtare dhe Administratë Qeverisëse Tranzitore.
Arritja jonë sjell së bashku një grup kombesh të dalluara që janë gati të marrin mbi supe përgjegjësinë fisnike të ndërtimit të PAQES së PËRHERSHME, një Nder i rezervuar për ata që janë të përgatitur të udhëheqin me shembullin e tyre, dhe të përkushtohen me mjeshtëri për një të ardhme të sigurtë e të begatë për brezat që do të vijnë. Në një te ardhme të afërt, ne do t’i mbledhim partnerët tanë të mrekullueshëm e të përkushtuar, shumica e të cilëve janë Udhëheqës Botërorë shumë të respektuar.
Si Kryetar i Bordit, ftoj zyrtarisht Republikën e Shqipërisë të përfaqësuar prej jush, të na bashkohet si Shtet Anëtar Themelues, dhe të bëhet palë në Statutin e Bordit të Paqes. Ky bord do të jetë aq i veçantë sa kurrë më parë nuk ka ekzistuar diçka e ngjashme me të! Çdo Shtet Anëtar mund të caktojë një përfaqësues të autorizuar në emër të tij për të marrë pjesë dhe kontribuar në takime. Bashkëngjitur gjeni Planin Gjithëpërfshirës, dhe Statutin e Bordit, i cili tani është i disponueshëm për nënshkrimin tuaj dhe ratifikimin.
Me kënaqësi pres të punojmë së bashku, edhe për shumë gjatë në të ardhmen, drejt qëllimit të vendosjes së përhershme të PAQES BOTËRORE, MIRËQËNIES, DHE MADHËSHTISË PËR TË GJITHË!
Me urimet më të mira, Unë jam,
Sinqerisht,
DONALD J. TRUMP
PRESIDENT I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

