Guatemala shpall gjendje të jashtëzakonshme, bandat tentuan të merrnin kontrollin e tre burgjeve
Presidenti i Guatemalës, Bernardo Arévalo, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme 30-ditore në të gjithë vendin, pas përshkallëzimit të dhunës së bandave kriminale, që çoi në vrasjen e tetë oficerëve të policisë dhe plagosjen e dhjetë të tjerëve.
Vendimi vjen një ditë pasi të burgosur të lidhur me bandat morën peng 46 persona në tre burgje të ndryshme, duke kërkuar transferimin e udhëheqësve të tyre në ambiente me siguri më të ulët.
Autoritetet bëjnë me dije se kontrolli mbi të tre institucionet penitenciare është rimarrë të dielën.
Sipas policisë, oficerët u vranë “në krye të detyrës, nga duart e kriminelëve”, ndërsa Ministri i Brendshëm, Marco Antonio Villeda, i cilësoi autorët si “terroristë”, duke theksuar se sulmet ishin hakmarrje ndaj masave të shtetit kundër bandave.
Gjendja e jashtëzakonshme pezullon të drejtën e tubimit dhe u lejon forcave të rendit të kryejnë arrestime dhe marrje në pyetje pa urdhër gjykate, masë që duhet të miratohet edhe nga Kongresi i vendit.
Në operacionet e zhvilluara, policia dhe ushtria hynë në burgun e sigurisë maksimale Renovación I, në Escuintla, ku liruan pengjet dhe arrestuan udhëheqësin e dyshuar të bandës Barrio 18, Aldo Dupie, i njohur si “El Lobo”. Operacione të ngjashme u zhvilluan edhe në burgjet Fraijanes II dhe Preventivo.
Bandat Barrio 18 dhe Mara Salvatrucha (MS-13) konsiderohen përgjegjëse për pjesën më të madhe të dhunës dhe trafikut të drogës në Guatemalë dhe janë shpallur organizata terroriste nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas të dhënave zyrtare, shkalla e vrasjeve në Guatemalë për vitin 2025 ishte 16.1 për 100 mijë banorë, më shumë se dyfishi i mesatares globale.

