MaqedoniTop Lajme

Punimet në autostradën Shkup-Bllacë ende s’kanë nisur! Procedurat e mbyllura nga Ministria, vonesa varet nga Banka financuese

Shpërndaje

Festat e fundvitit kaluan, por punimet në autostradën Shkup-Bllacë ende s’kanë filluar.

“Jemi në fund të janarit të vitit 2026, punimet në autostradën Shkup-Bllacë ende nuk kanë filluar, edhe pse pritej që në fund të vitit të cilin e lamë pas të fillonin punimet”, raporton gazetarja e TV21, Fazile Halili.

Para një muaji nga ministria e transportit thanë se punimet nuk kanë nisur, jo për shkak kushteve klimatike, por për shkak procedurave burokratike të institucionit financiar dhe periudhës së festave së fundvitit.
Sot e pyetëm ministrin Aleksandar Nikolloski se kur do të fillojnë punimet për këtë autostradë. Ai tha se nga ana e tyre i kanë përfunduar procedurat, ndërsa tani presin konfirmim nga Banka Evropiane për ta zgjedhur kontraktorin.

“Ne kemi një procedurë për zgjedhjen e një kontraktori. Nga ana jonë kjo procedurë është përfunduar, duke marrë parasysh që financimi kalon përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, domethënë, pjesërisht, për pjesën më të madhe ka kredi në një pjesë ka edhe një grant. Kjo tani është dërguar në selinë e Bankës Evropiane për këtë zhvillim në Londër, dhe po presim konfirmim nga ana e tyre. Sapo ta shpallim kontraktorin dhe menjëherë pas kësaj mund të fillojnë punimet e ndërtimit”, deklaroi Aleksandar Nikolloski – ministër i Transportit.

Por sa do të zgjasë deri në përfundim kjo autostradë?!

“Do ta përfundojmë 3 vjet nga momenti kur të fillojmë, ndërsa se kur do të të fillojmë nuk varet nga ne, varet nga Banka Evropiane për këtë zhvillim, shpresoj se është çështje javësh kur të marrim përgjigje përfundimtare”, shtoi ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.

Ndryshe për këtë autostradë janë kryer vetëm 2 kilometrat e para, por as ato nuk munden të lëshohen në përdorim, derisa nuk ndërtohet edhe pjesa tjetër prej 10 kilometrave. Për realizimin e autostradës janë paraparë rreth 240 milionë euro, apo afërsisht 24 milionë euro për çdo kilometër.