Trump planifikon dërgimin e një anije spitalore në Grenlandë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të shtunën tha se po punonte me guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, për të dërguar një anije spitalore në Grenlandë, një territor danez, të cilin Trump ka shprehur më parë dëshirën ta blejë.
Trump njoftoi këtë plan në rrjetet sociale pak momente para se të organizonte një darkë për guvernatorët republikanë në Shtëpinë e Bardhë, ku u ul pranë dhe bisedoi me Landryn.
“Duke punuar me guvernatorin fantastik të Luizianës, Jeff Landry, ne do të dërgojmë një anije të madhe spitalore në Grenlandë për të kujdesur për shumë njerëz që janë të sëmurë dhe nuk po marrin kujdes atje”, shkroi Trump.
As Shtëpia e Bardhë, as zyra e Landryt nuk përgjigjën për pyetjet rreth postimit, nëse anija ishte kërkuar nga Danimarka apo Grenlanda dhe se cilët njerëz të sëmurë kishin nevojë për ndihmë. Departamenti i Luftës nuk kishte koment të menjëhershëm.
Mbretër Frederik i Danimarkës bëri javën e kaluar vizitën e dytë në Grenlandë brenda një viti, në një përpjekje për të demonstruar unitet me territorin, përballë nismës së Trump për të blerë ishullin.
Grenlanda, Danimarka dhe SHBA-ja mbajtën bisedime në fund të muajit të kaluar për të zgjidhur situatën pas muajsh tensioni brenda aleancës ushtarake të NATO-s.
Postimi i Trump erdhi pak orë pasi Komanda e Përbashkët Arktike e Danimarkës njoftoi se kishte evakuuar një anëtar të ekuipazhit që kërkonte trajtim të menjëhershëm mjekësor nga një nëndetëse amerikane në ujërat e Grenlandës, shtatë milje detare jashtë kryeqytetit të Grenlandës, Nuuk.

