Ahmeti nga Prekazi: Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!
Në Prekaz, në mesin e anëtarëve të familjes Jashari, gjeneralëve dhe komandantëve të UÇK-së, veteranëve të luftës me plagë në trup e me krenari në shpirt dhe bashkëluftëtarëve të shumtë, nderuam me përulje të thellë veprën dhe sakrificën e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të Hamzë Jashari, duke kujtuar sakrificën e 59 dëshmorëve të rënë në Prekaz.
Prekazi nuk është vetëm një vend i kujtesës historike. Është ndërgjegjja e kombit dhe altari i lirisë, aty ku u vulos përjetësisht vendimi se liria nuk negociohet dhe nuk blihet, por fitohet me sakrificë dhe qëndresë.
Adem Jashari nuk ishte vetëm një komandant. Ai u bë simbol. U bë thirrje. U bë betim për një popull që vendosi mes zgjedhjes të jetojë i lirë ose të mos jetojë fare.
Epopeja e UÇK-së nuk është thjesht kujtim historik. Është përgjegjësi dhe amanet. Amaneti i Prekazit është i qartë: Të ruajmë dinjitetin e luftës çlirimtare. Të mbrojmë të vërtetën historike. Të punojmë për unitet kombëtar, drejtësi dhe zhvillim.
Para varreve të dëshmorëve nuk ka ndarje, nuk ka parti dhe nuk ka interesa personale. Ka vetëm Kosovë.
Lavdi e përjetshme Komandantit Legjendar Adem Jashari. Lavdi Hamzë Jasharit.
Lavdi dëshmorëve të Prekazit.
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!







