MaqedoniTop Lajme

Qeveria e Maqedonisë merr vendim radikal për karburantet

Shpërndaje

Qeveria e Maqedonisë së Veriut nesër në mesditë pritet të ketë miratuar masa të jashtëzakonshme për luftimin e çmimeve të larta të karburanteve, mëson Pres24 nga burime qeveritare.

Sipas informacioneve, Qeveria po e ndjek nga afër situatën me çmimet në bursat botërore, të cilat vazhdojnë të rriten. Duke qenë të vetëdijshëm se kjo do të reflektohet në vendimin e ri të Komisionit Rregullator për Energji, ata paralajmërojnë ndërhyrje për të zbutur goditjen e çmimeve.

Deri në këtë moment nuk ka informacione se çfarë masash konkrete planifikon të ndërmarrë Qeveria, por burime qeveritare kanë paralajmëruar se po shqyrtohet modeli i uljes së TVSH-së për karburantet nga 18% në 10%.

Aktualisht, çmimi i karburanteve është 92 denarë për dizelin dhe 86.5 denarë për litër benzinë.

Pas një marrëveshjeje të Qeverisë me një nga furnizuesit më të mëdhenj, OKTA, çmimet janë ulur për 2 denarë për litër, kështu që në shumicën e pikave të karburantit çmimi është 90 denarë për dizelin dhe 84.5 denarë për benzinën.

****

Për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka caktuar për nesër në orën 12:00 një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën do të shqyrtohen masa për zbutjen e presionit të çmimeve.

Nga Qeveria theksojnë se, edhe pse Maqedonia vazhdon të ketë karburantet më të lira në rajon, pritet që të hënën të shënohet një rritje shtesë e çmimeve të naftës dhe benzinës, mëson 4news.mk.

Për këtë arsye, në seancën e nesërme do të propozohen masa të jashtëzakonshme për mbrojtjen e konsumatorëve dhe zbutjen e rritjes së çmimeve.

“Ne e ndjekim vazhdimisht gjendjen me çmimet në bursat botërore të naftës dhe do të ndërmarrim hapa të duhur për të zbutur efektet në tregun vendas”, thonë nga Qeveria.