RajoniTop Lajme

Hoti: Krushës Vogel i kthehet edhe një martir: Ajvaz Shehu!

Shpërndaje

Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se pas 27 vitesh është identifikuar dhe do të rivarroset në Kosovë Ajvaz Shehu, një nga viktimat e Masakra e Krushës së Vogël, duke rikthyer kështu edhe një martir në Krushë e Vogël.

Njoftimi i plotë:
Krushës Vogel i kthehet edhe një martir: Ajvaz Shehu!
Më 26 mars të vitit 1999, në Krushë të Vogël, forcat serbe vranë dhe masakruan 113 shqiptarë.
Ishte një krim i planifikuar nga strukturat shtetërore të Serbisë.
Forcat serbe masakruan burra, pleq dhe fëmijë, duke tentuar të zhdukin çdo gjurmë të krimit.
Rasti i familjes së Nuredin Shehut e dëshmon qartë përmasën e këtij krimi.
Ajvaz Nuredin Shehu ishte vetëm 15 vjeç në kohën e luftës – një fëmijë që pa me sytë e tij tmerrin e asaj dite.
27 vjet më vonë, më në fund, eshtrat e tij do të prehen në tokën e Kosovës.
Historia e tij është e rëndë dhe tragjike.
Babai i tij, Nuredini, u vra së bashku me tre djemtë e tjerë, përpos Ajvazin: Seferin, Fadilin dhe Xhaferin.
Seferi kishte dy djem të vrarë.
Edhe Fadili kishte dy djem të vrarë.
Në një familje 9 të vrarë.
Rivarrimi i Ajvazit mbylli vetëm një etapë të kësaj historie tragjike.
Për shumë familje në Krushë të Vogël dhe në treva të tjera të Kosovës, ende mungon përgjigjja për pyetjen që e mbajnë në mendje tash e 27 vjet:
Ku janë më të dashurit tanë?
Kjo pyetje rënkon në heshtje çdo ditë, tash e gati tri dekada.
Përgjegjësia për këto krime i takon Serbisë.
Pa të vërtetën nuk ka paqe, pa drejtësi nuk ka pajtim.
Ne do të vazhdojmë të punojmë pa u ndalur në kërkim të drejtësisë. Kjo nuk është çështje politike, është çështje njerëzore.
Lavdi martirëve të Krushës së Vogël!