MaqedoniTop Lajme

“Gjuha nuk negociohet!” – Studentët shqiptarë në protestë, mesazhe të forta për barazi dhe identitet

Shpërndaje

Njëri nga organizatorët e protestës, Mevlan Ademi, para protestuesve parashtroi kërkesat e studentëve, duke theksuar se një situatë e tillë nuk do të duhej të ndodhte në vitin 2026. Sipas tij, është e papranueshme që studentët të detyrohen të dalin në rrugë për të mbrojtur gjuhën e tyre.

“Po ja ku jemi. Para se të jemi studentë apo profesionistë, ne jemi shqiptarë. Dhe kur preket gjuha, preket vetë themeli ynë. Gjuha shqipe është mënyra se si jetojmë, si flasim dhe si kemi ardhur deri këtu”, deklaroi Ademi.

Ai nënvizoi se përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë e garantuar me ligj dhe nuk mund të vihet në diskutim.

“Shqipja assesi nuk negociohet. Kjo është minimumi i dinjitetit. Nuk kërkojmë favore, kërkojmë barazi. Nuk jemi kundër askujt – jemi këtu për veten tonë, për gjuhën tonë dhe për të ardhmen tonë”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, Ademi shtoi se studentët nuk do të lejojnë që gjuha shqipe të trajtohet si opsion, por si pjesë e pandashme e identitetit.

“Ne po themi qartë: nuk ka shtet të së drejtës pa barazi gjuhësore. Jemi brezi që nuk hesht, nuk dorëzohet – brezi që mbron dhe flet shqip”, deklaroi ai mes duartrokitjeve të protestuesve.

Foto KOHA