Bota

Kërcënon Trump: Iranin e zhdukim brenda një nate… dhe kjo mund të ndodhë nesër!

Shpërndaje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, doli në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë ku po flet për zhvillimet e fundit në luftën me Iranin, duke lëshuar një nga deklaratat më të forta deri më tani.

Ai u shpreh se Irani mund të “zhduket brenda një nate”, duke shtuar se një operacion i tillë mund të ndodhë edhe “që nesër në mbrëmje”, nëse merret një vendim i tillë.

Gjatë konferencës, Trump theksoi se Shtetet e Bashkuara po performojnë “jashtëzakonisht mirë” në kuadër të operacionit “Epic Fury”, të cilin e përshkroi si një ndërhyrje në një nivel të paprecedentë.

Presidenti ndaloi veçanërisht te operacioni i shpëtimit të një piloti amerikan të mbetur në territorin iranian për rreth 48 orë. Ai tha se u mobilizua një operacion i gjerë ushtarak, duke përdorur edhe taktika devijimi për të mashtruar forcat iraniane mbi vendndodhjen reale.

“Në një demonstrim të jashtëzakonshëm aftësie dhe saktësie, ushtria amerikane ndërhyri në zonën reale, përfshiu armikun, shpëtoi oficerin dhe neutralizoi çdo kërcënim,” deklaroi Trump.

Sipas tij, operacioni u realizua pa humbje për palën amerikane, pavarësisht se forcat e shpëtimit u përballën me zjarr të rëndë dhe një helikopter u godit.

Ai dha edhe detaje mbi përmasat e ndërhyrjes, duke përmendur përdorimin e 155 avionëve, përfshirë bombardues, avionë luftarakë, tanke furnizimi në ajër dhe mjete shpëtimi.

“Nuk ka askush tjetër pajisjet që kemi ne. Jemi ushtria më e fuqishme në botë, me diferencë”, theksoi presidenti amerikan.

Deklaratat e tij, të bëra drejtpërdrejt nga konferenca për shtyp, vijnë në një moment tensioni të lartë dhe sugjerojnë se administrata amerikane po mban të hapur opsionin e një përshkallëzimi të shpejtë të konfliktit.