RajoniTop Lajme

Intervista nga Haga, Thaçi pyetet për shkëmbimin e territoreve: Qëllimi ishte paqja e qëndrueshme

Shpërndaje

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë me shkrim për gazetën gjermane F.A.Z., ku ka folur për procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë, luftën e UÇK-së, rolin e NATO-s dhe zhvillimet politike në Kosovë.

Në përgjigjet e tij, Thaçi ka theksuar se ndodhet në vitin e gjashtë të paraburgimit dhe ende pret vendimin e gjykatës, duke e cilësuar mungesën në varrimin e babait të tij si një dhimbje të madhe personale.

Ai ka deklaruar se e konsideron të përfunduar garën politike, por jo jetën e tij politike, duke shtuar se si qytetar i lirë i Kosovës do të vazhdojë t’i shërbejë vendit dhe publikut në të ardhmen.

“Ju pyesni nëse jeta ime politike ka përfunduar. E shoh garën politike pas vetes, por jo jetën time politike. Si qytetar i lirë i Kosovës do të vazhdoj t’i shërbej publikut dhe shtetit edhe në të ardhmen. Përulem para popullit të Kosovës që më ka dhënë besim, respekt dhe mbështetje për dy dekada. Shpreh mirënjohje të thellë edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë që bashkëpunuan me mua për të realizuar vullnetin e qytetarëve për liri dhe pavarësi. Ndihem i përmbushur në karrierën time politike”, tha ai.

Duke iu referuar akuzave dhe procesit gjyqësor, Thaçi ka mbrojtur qëndrimet e ekipit të tij ligjor, duke theksuar se institucionet ndërkombëtare kanë trajtuar më herët çështjet e lidhura me luftën në Kosovë dhe përgjegjësinë për abuzimet e pretenduara.

Ai ka folur edhe për mbështetjen e Kosovës për të akuzuarit në Hagë, duke e konsideruar atë si pjesë të respektimit të të drejtës për proces të drejtë, ndërsa ka theksuar se viktimat nuk janë lënë pas dore dhe se ekzistojnë mekanizma institucionalë për mbështetjen e tyre.

Në lidhje me historinë e luftës së viteve ’90, Thaçi ka theksuar se krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të barazohen me veprimet e UÇK-së, duke shtuar se ngjarjet e asaj periudhe janë të dokumentuara nga organizata ndërkombëtare.

Ai ka mbrojtur edhe ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, duke e cilësuar atë si të bazuar në vlera perëndimore dhe si vendimtare për ekzistencën e Kosovës.

Sa i përket procesit të paqes me Serbinë, Thaçi ka theksuar se qëllimi i tij ka qenë arritja e një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe ligjërisht të detyrueshme, duke përmendur rëndësinë e përfshirjes së Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara në dialog.

“Qëllimi im kryesor ishte sigurimi i një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, që do t’u mundësonte të dyja vendeve të ecin përpara dhe Kosovës integrim të plotë ndërkombëtar. Do të ishte e pafalshme të lihen probleme të pazgjidhura për brezat e ardhshëm”, ka thënë ai.

Ish-kreu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës foli edhe për vdekjen e babait të tij, duke thënë se fakti që nuk mori pjesë në varrim, e ka lënduar thellë.

“I vlerësoj shumë fjalët tuaja të mira për vdekjen e babait tim. Ishte një humbje e madhe për familjen time dhe për mua personalisht. Tani ndodhem në vitin e gjashtë të paraburgimit dhe ende pres një vendim gjykate. Fakti që nuk munda të marr pjesë në varrimin e babait tim dhe t’i jap lamtumirën e fundit më ka lënduar thellë, një dhimbje që do ta mbaj gjithë jetën”.

Thaçi foli edhe për dëshminë e gjeneralit Wesley Clark:

“Unë mbështes plotësisht argumentet e ekipit tim mbrojtës. Dhomat e Specializuara të Kosovës janë mekanizmi i katërt ndërkombëtar pas ICTY, UNMIK dhe EULEX. Secili prej këtyre mekanizmave ka hetuar ngjarjet e viteve 1998–1999 dhe ka nxjerrë përfundime për përgjegjësitë. Qëllimi i krijimit të kësaj gjykate ishte hetimi i pretendimeve të raportit të Dick Marty-t, veçanërisht për trafikim organesh – pretendime të ngritura nga përfaqësues rusë në Këshillin e Evropës. Por në aktakuzën tonë nuk ka asnjë referencë për këto akuza. Ato rezultuan të pavërteta. Edhe gjeneral Clark i cilësoi si dezinformim rus. Shpresojmë që ky proces të sjellë të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin”.

Në fund, ai është pyetur edhe për bashkëpunimet e mundshme politike në Kosovë, por ka deklaruar se prioriteti i tij mbetet procesi gjyqësor që po zhvillohet në Hagë, duke theksuar se interesat e qytetarëve duhet të jenë mbi ato partiake.