ASH: Mërgata shqiptare dhe qytetarët jorezidentë janë pjesë e pandashme e shtetit, nuk mund të fshihen nga regjistrimi i popullsisë
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj deklaratës së drejtorit të Entit Shtetëror të Statistikave, në lidhje me paralajmërimet se në regjistrimin e ardhshëm mund të përfshihet vetëm popullata rezidente.
Nga kjo parti vlerësojnë se një qasje e tillë nuk mund të trajtohet si çështje teknike, por përbën, sipas tyre, një agjendë të qartë politike për përjashtim.
“Të paralajmërosh se qytetarët jorezidentë do të lihen jashtë regjistrimit nuk është procedurë statistikore, por tentativë për të ndryshuar realitetin demografik përmes vendimeve administrative”, thuhet në reagim.
Aleanca për Shqiptarët thekson se mërgata shqiptare dhe qytetarët jorezidentë janë pjesë e pandashme e shtetit dhe nuk mund të “fshihen” nga statistikat zyrtare.
Sipas tyre, këta qytetarë ruajnë lidhje të drejtpërdrejta me vendin përmes familjeve, pronave dhe investimeve, si dhe gëzojnë të drejta që nuk mund të mohohen. Partia shpreh shqetësim edhe për arsyetimin e mundshëm të kësaj qasjeje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar këtë si “manipulim të pastër”.
Sipas tyre, përdorimi i interpretimeve juridike për të justifikuar përjashtimin e një pjese të popullsisë është i papranueshëm dhe i rrezikshëm për funksionimin demokratik të shtetit.
Në reagim, Aleanca për Shqiptarët e vendos këtë zhvillim në një kontekst më të gjerë politik, duke përmendur, siç thonë ata, një varg veprimesh të fundit që prekin interesat e shqiptarëve – nga çështjet e gjuhës shqipe dhe arsimit të lartë, deri te debatet për Korridorin 8 dhe ndryshimet kushtetuese. “Kjo nuk është rastësi, por strategji.
Fillimisht provokohen reagimet, më pas testohet opinioni publik dhe në fund tentohet të institucionalizohet përmes politikave zyrtare”, vlerëson partia. Në fund, Aleanca për Shqiptarët deklaron se e refuzon kategorikisht çdo tentativë për përjashtimin e popullatës jorezidente nga regjistrimi i ardhshëm, duke theksuar se procesi i regjistrimit nuk mund të shndërrohet në instrument të inxhinierisë politike apo etnike.

