ZRRE-ja propozon të mos ketë sivjet shtrenjtim të energjisë elektrike
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRE) ka propozuar që për këtë vit të mos ketë shtrenjtim të energjisë elektrike.
ZRRE-ja bën të ditur se ka propozuar që të shmanget ndikimi i menjëhershëm dhe që kjo të shpërndahet në më shumë se një periudhë tarifore, nëpërmjet një mekanizmi të profilizimit të kostove.
“Ky mekanizëm parasheh që një pjesë e kostove të rritura të furnizimit të shpërndahet në më shumë se një periudhë tarifore, me qëllim zbutjen e ndikimit në tarifa për një vit të vetëm. Ky trajtim nuk përfaqëson ulje reale të kostove, por një shpërndarje të tyre në kohë, duke kontribuar në stabilitetin e furnizimit dhe përballueshmërinë për konsumatorët. Pra ZRRE propozon që për këtë vit relevant tarifor të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët e shërbimit universal”, thuhet në komunikatë
Sipas komunikatës së ZRRE-së, gjatë analizës që kanë bërë të aplikacioneve të pranuara nga ndërmarrjet energjetike është vërejtur se gjatë vitit 2026 do të ketë prodhim më të ulët për shkak se njësitë e Termocentraleve Kosova A dhe Kosova B pritet të i nënshtrohen ndërprerjeve të zgjatura të cilat janë të domosdoshme për përmirësimin e besueshmërisë dhe performancës së prodhimit në vitet në vijim.
Ndërkaq si rezultat i reduktimit të prodhimit vendor gjatë kësaj periudhe, sistemi pritet të mbështetet në importe shtesë të energjisë elektrike, duke rritur përkohësisht kostot e furnizimit me shumicë për vitin 2026.
Rreth këtij vendimi të ZRRE-së, gjatë ditës sotme ka reaguar edhe Visar Azemi nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të cilën thotë se ky vendim ka ardhur pas skandalit me njehsorët elektrikë dhe kërkesës së LDK-së për të mos u marr asnjë vendim pa u zbardhur e vërteta.
“Pas skandalit të madh me njehsorët elektrikë dhe pas kërkesës sonë të qartë që të mos merret asnjë vendim për ngritje të çmimit të energjisë elektrike pa u zbardhur e gjithë e vërteta, ZRRE ka njoftuar për mos-ngritje të tarifave të energjisë elektrike. Kjo është një fitore për qytetarët dhe një dëshmi se kur ngremë zërin, kur kërkojmë drejtësi dhe nuk ndalemi, rezultatet vijnë”, reagon Azemi.
Ai thotë se ata nuk do të ndalen deri sa ky skandal të zbardhet plotësisht, përgjegjësit të dënohen dhe qytetarëve të ju kthehen paratë e vjedhura.
Në janar, të tre operatorët patën kërkuar shtrenjtim të rrymës. KESCO kërkoi rritje rreth 21 për qind.

