“Dita e hapur” dhe “Panairi i karrierës” në UT, ofruan mundësi të reja për të rinjtë nga vendi dhe rajoni
Në sheshin e Universitetit të Tetovës u organizuan dy veprimtari me rëndësi të veçantë: “Dita e hapur” dhe “Panairi i karrierës”, aktivitete që synojnë të afrojnë institucionin me maturantët, studentët dhe tregun e punës.
Në kuadër të “Ditës së hapur” të gjitha njësitë akademike të Universitetit të Tetovës, maturantëve të interesuar ua prezantuan ofertat e tyre arsimore dhe shkencore për vitin akademik 2026/2027, duke i njoftuar me programet studimore, kushtet e studimit dhe mundësitë që ofron universiteti për zhvillimin akademik dhe profesional të tyre.
Për mundësitë dhe infrastrukturën e Universitetit të Tetovës, foli Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli. Ai u shpreh se Universiteti i Tetovës tashmë disponon një infrastrukturë jashtëzakonisht të zhvilluar, staf akademik dhe administrativ të përkushtuar, si dhe një traditë të konsoliduar në organizimin e konferencave shkencore, promovimeve të librave, botimeve akademike dhe realizimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me institucione brenda vendit, rajonit, Evropës dhe SHBA-së. “Të gjitha këto arritje e kanë vendosur Universitetin e Tetovës në një nivel të avancuar, duke dhënë një kontribut të veçantë në edukimin dhe përgatitjen e brezave të rinj. Kjo dëshmohet edhe sot, me pjesëmarrjen e shumtë të maturantëve që kanë ardhur për të dëgjuar rreth ofertës sonë akademike. I ftojmë të gjithë maturantët të orientohen drejt njërit prej afërsisht 100 programeve studimore që ofrojmë vetëm në ciklin e parë. Ata mund të jenë të bindur se në Universitetin e Tetovës do të marrin njohuritë më të mira dhe do të përgatiten profesionalisht për të ushtruar me sukses profesionin e tyre.” – tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Njëkohësisht u organizua edhe “Panairi i karrierës”, ku kompani të ndryshme prezantuan aktivitetet e tyre, duke ofruar informacione mbi mundësitë e punësimit dhe zhvillimit profesional për studentët. Ky panair shërben si një urë lidhëse mes studentëve dhe tregut të punës, duke krijuar hapësira konkrete për bashkëpunim dhe perspektiva të reja karriere.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Z. Nuhi Aliu theksoi se Oda Ekonomike fuqishëm i përkrah studentët dhe do të vazhdojë t’i përkrahë gjithmonë. Ai u shpreh se studentët i kanë dyert e hapura në Odën Ekonomike, ku mund të vijnë për bashkëpunim dhe përvoja praktike, pasi teorinë e mësojnë në fakultet, ndërsa praktikën e zhvillojnë në ndërmarrjet private që janë pjesë e anëtarësisë së Odës. Kryetari Aliu nënvizoi se Oda ka një numër të madh kompanish private shqiptare, të cilat i kanë dyert e hapura për studentët, por njëkohësisht inkurajoi edhe bizneset e tjera që të ofrojnë mundësi për ta. Ai shtoi se studentët janë e ardhmja e shoqërisë dhe e bizneseve, prandaj mbështetja e tyre është një investim i domosdoshëm për zhvillimin e përgjithshëm.
Këto aktivitete dëshmojnë angazhimin e Universitetit të Tetovës për të qenë jo vetëm qendër e dijes dhe kërkimit shkencor, por edhe partner i besueshëm në ndërtimin e të ardhmes profesionale të studentëve.

