MaqedoniTop Lajme

SHKUP/ Punëtorët në protestë: Luftojmë për pagë, nuk kërkojmë lëmoshë

Shpërndaje

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) organizoi protestë me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, nën moton “Luftojmë për paga, nuk lutemi”, raporton Anadolu.

Qindra njerëz u mblodhën para ndërtesës së LSM-së, prej ku marshuan drejt Kuvendit, Dhomës së Tregtisë dhe më pas drejt Qeverisë.

Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov, në fjalimin e tij para selisë së Qeverisë tha se gjysma e popullsisë punëtore në vend jeton me një pagë më pak se 600 euro.

Ai tha gjithashtu se një e treta e popullsisë së përgjithshme të aftë për punë në Maqedoninë e Veriut jeton nën kufirin e varfërisë.

“Ne kërkojmë që paga minimale të rritet për dy vjet. Për dy vjet ata kanë refuzuar ta rrisin atë sepse nuk duan të rivendosin dinjitetin e punëtorit”, shtoi Trendafilov.

Ashtu edhe si në protestat e kaluara nga LSM, protestuesit kërkuan pagë minimale prej 600 eurosh dhe rritje lineare prej 100 eurosh për të gjithë.

Ndryshe, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka protestuar disa herë këtë vit me kërkesë për rritjen e pagave.

THIRRJE PËR PROTESTË MË 1 MAJ NË ORËN 11:00 PARA SHTËPISË SË PUNËTORËVE
Të nderuara punëtore dhe punëtorë,
Lufta punëtore nuk është vetëm një protestë, një grevë apo një bllokadë. Ajo është një luftë e vazhdueshme e punëtorëve dhe sindikatave për ruajtjen dhe përmirësimin e të drejtave të punëtorëve.
1 Maji – Dita Ndërkombëtare e Punës është dita kur protestat dhe demonstratat janë një detyrim ndaj luftës punëtore të së kaluarës dhe një përgjegjësi ndaj luftës punëtore të së ardhmes.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë që nga viti 2018 çdo vit organizon një protestë masive të punëtorëve më 1 Maj.
Për të 8-in vit radhazi, më 1 Maj me fillim në orën 11:00, para Shtëpisë së Punëtorëve në Shkup fillon PROTESTA, këtë vit me moton:
“PËR PAGË LUFTOJMË – NUK LUTEMI”
Ftojmë për solidaritet edhe punëtorët për të cilët sindikatat tashmë kanë arritur rritjen e pagave të tyre.
Solidariteti punëtor nuk duhet të ketë kufij. Sot luftojmë për ata me pagat më të ulëta, nesër për të gjithë ne.
Prandaj, më 1 Maj të jemi solidarë, të zëshëm, të bashkuar dhe të vendosur!
Ftojmë në protestë, ftojmë të qëndrojmë krah për krah me koleget dhe kolegët tanë dhe të tregojmë se zëri i punëtorëve nuk mund të injorohet.
Punëtorët në Maqedoni meritojnë paga më të larta!
Maqedonia për paga më të larta!
Për pagë luftojmë – nuk lutemi!
#1MAJ #PROTESTË #SSM #80VITE #SINDIKATË