RajoniTop Lajme

SHBA publikon raportin për Ballkanin Perëndimor: Shqipëria në projektet strategjike, Kosova kyçe për sigurinë

Shpërndaje

Administrata amerikane i ka paraqitur Kongresit raportin e ri për Ballkanin Perëndimor, një dokument strategjik prej shtatë faqesh që shpjegon qartë se si Amerika e sheh rajonin tonë, cilat janë prioritetet amerikane dhe pse Ballkani vazhdon të konsiderohet i rëndësishëm për Uashingtonin.

Epoka e ndërtimit të shteteve ka mbaruar

Në raport Ballkani nuk shihet më si një projekt “shpëtimi” nga SHBA, por si një rajon ku Amerika kërkon stabilitet, ndikim strategjik dhe përfitime ekonomike.

“Promovimi i stabilitetit dhe avancimi i interesave ekonomike amerikane në Ballkanin Perëndimor e bën SHBA-në më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë. Administrata po ndjek një politikë të orientuar drejt së ardhmes në rajon, të fokusuar tek zgjerimi i partneriteteve, kundërshtimi i kërcënimeve që prekin SHBA-në dhe stabilitetin rajonal, si edhe rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar”, thuhet në dokument.

Administrata amerikane thotë hapur se koha kur SHBA investonte në “ndërtimin e shteteve” në Ballkan ka marrë fund. Sipas dokumentit, fokusi i ri është që vendet e Ballkanit të marrin më shumë përgjegjësi vetë dhe të mos varen pafundësisht nga ndërhyrja ndërkombëtare.

“Epoka e ndërtimit të shteteve e udhëhequr nga SHBA ka kaluar. Politika amerikane në Ballkanin Perëndimor nuk ka më të bëjë me shpëtim apo rindërtim, por me stabilitet dhe partneritete që sjellin përfitime të ndërsjella. Administrata është e fokusuar tek fuqizimi i aktorëve lokalë që të zgjidhin vetë sfidat e tyre, në vend që të krijohet një mbështetje e tepruar tek ndërhyrja apo mbikëqyrja ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin aty ku përfshirja jonë kërkohet dhe ku avancohen interesat amerikane”, thuhet në raport.

Raporti identifikon tre shtylla kryesore të politikës amerikane në Ballkan: stabilitetin, interesin ekonomik dhe përballjen me kërcënimet ndaj SHBA-së. Për stabilitetin, dokumenti ndalet fillimisht tek Bosnja, ku SHBA thotë se ndërhyrja diplomatike amerikane në vitin 2025 shmangu krizën më të madhe që nga lufta e viteve 1992-1995. Në të njëjtën kohë, SHBA riafirmon mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi dhe e konsideron normalizimin si element kyç për rajonin.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të inkurajojnë Serbinë dhe Kosovën të bëjnë progres në normalizimin e marrëdhënieve, me qëllimin për të arritur një marrëveshje të negociuar, të qëndrueshme dhe të pranueshme për të dyja palët”, thuhet në raport.

NATO dhe objektivi për 5% të PBB-së për mbrojtjen

Një pjesë shumë e rëndësishme i kushtohet NATO-s dhe sigurisë në rajon. Administrata amerikane thotë se integrimi i Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO e ka bërë aleancën më të fortë. Por nga ana tjetër SHBA kërkon gjithashtu që vendet e rajonit të modernizojnë ushtritë dhe të rrisin shpenzimet ushtarake sipas objektivave të NATO-s.

“Administrata do të vazhdojë të inkurajojë vendet e rajonit të modernizojnë ushtritë e tyre dhe të përmbushin objektivat ushtarake të NATO-s, përfshirë angazhimin për të shpenzuar 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, siç u dakordësua në Samitin e Hagës. Administrata do të angazhojë gjithashtu platforma shumëpalëshe, si Karta SHBA-Adriatik (A5), për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe zgjidhje të udhëhequra nga vetë rajoni për sfidat e sigurisë”, thuhet në raport.

Mbështetje për KFOR-in dhe transformimin e FSK-së

Administrata amerikane riafirmon edhe mbështetjen për KFOR-in dhe FSK-në në Kosovë.

“Forcat e Armatosura të SHBA vazhdojnë të marrin pjesë në misionin e NATO-s në Kosovë, i cili mbetet një komponent kyç për garantimin e një ambienti të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë. Administrata vazhdon të mbështesë transformimin e Forcës shumetnike të Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale të mbrojtjes territoriale”, theksohet në dokument.

Raporti përmend edhe Shqipërinë dhe Kosovën si pjesë të rolit të ri që Ballkani po merr në sigurinë ndërkombëtare.

“Kosova dhe Shqipëria janë anëtare themeluese të Bordit të Paqes dhe do t’i bashkohen Bosnje-Hercegovinës si kontribuese në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën, duke treguar transformimin e rajonit nga konsumues sigurie në ofrues sigurie”, thuhet në raport.

Korridori VIII dhe Adriatiko-Jonian, projektet strategjike të SHBA

Një pjesë shumë e madhe e dokumentit fokusohet tek ekonomia, tregtia dhe energjia, ku SHBA e bën të qartë se synon të konkurrojë drejtpërdrejt me Rusinë dhe Kinën në Ballkan. Administrata amerikane e konsideron Ballkanin një treg me potencial ekonomik për kompanitë amerikane.

“Rajoni me 18 milionë banorë ndodhet në korridore të rëndësishme transporti, zotëron burime natyrore, një sektor teknologjik në rritje dhe një fuqi punëtore të kualifikuar. Në bashkëpunim me qeveritë e rajonit, Shtetet e Bashkuara do të inkurajojnë përpjekjet lokale për të përmirësuar klimën e biznesit, për të ulur pengesat rregullatore, për të forcuar zbatimin e kontratave dhe për të garantuar procese transparente prokurimi që favorizojnë kompanitë amerikane. Administrata i jep prioritet bashkëpunimit me partnerët për të forcuar mekanizmat e kontrollit të investimeve, me qëllim mbrojtjen e infrastrukturës kritike nga blerjet grabitqare të huaja”, thuhet në raport.”, thuhet në raport.

SHBA paralajmëron se do të shtyjë përpara marrëveshje tregtare dhe projekte infrastrukturore që favorizojnë kompanitë amerikane.

“Administrata do të punojë për të siguruar që kompanitë amerikane të japin kontribut të rëndësishëm në korridoret strategjike të infrastrukturës, përfshirë Korridorin Adriatiko-Jonian dhe Korridorin VIII nga Adriatiku deri në Detin e Zi. Shtetet e Bashkuara do të mbështesin platforma rajonale si Nisma e Tre Deteve dhe do të punojnë për zgjerimin e marrëveshjeve dypalëshe, duke u mbështetur tek marrëveshja ndërqeveritare SHBA-Serbi për infrastrukturën energjetike e vitit 2024. Marrëveshjet ndërqeveritare u japin kompanive amerikane mundësi të konkurrojnë më efektivisht për projekte strategjike në transport, teknologji informacioni dhe komunikimi, si edhe në industrinë e mbrojtjes, përballë konkurrentëve armiqësorë dhe atyre me standarde të ulëta”, thuhet në raport.

Në raport përmenden konkretisht projektet energjetike që SHBA i konsideron prioritare në Ballkan.

“Projektet prioritare përfshijnë gazsjellësin Southern Interconnection mes Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës; interkonektorin e propozuar të gazit Serbi–Maqedoni e Veriut; zhvillimin e hidrocentraleve në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi; modernizimin e termocentraleve me qymyr në Kosovë dhe projektet e gazifikimit; si edhe kabllo të reja transmetimi që lidhin rrjetet energjetike të Ballkanit Perëndimor me tregjet europiane”, theksohet në raport.

Amerika kërkon më shumë hapësirë për kompanitë amerikane në Ballkan

Raporti ndalet edhe tek reformat ekonomike dhe lufta kundër krimit të organizuar, ku SHBA e bën të qartë se synon të krijojë një klimë më të favorshme për kompanitë amerikane në Ballkan dhe të godasë rrjetet kriminale me lidhje ndërkombëtare.

“SHBA ka interes tregtar dhe strategjik në mbështetjen e reformave që krijojnë një klimë biznesi të parashikueshme, transparente dhe të bazuar në rregulla, ku kompanitë amerikane mund të zhvillohen. Programi për Zhvillimin e Ligjit Tregtar vazhdon të forcojë kapacitetet e partnerëve për të përmirësuar gjykatat tregtare, për të zhvilluar ligje për kontrollin e investimeve dhe për të garantuar që rregullat e prokurimeve të krijojnë kushte të barabarta për kompanitë amerikane. Ndërkohë, Byroja për Narkotikët Ndërkombëtarë dhe Zbatimin e Ligjit (INL) bashkëpunon me organet ligjzbatuese dhe prokurorët në rajon për të promovuar qeverisjen e mirë dhe për të çmontuar organizatat kriminale transnacionale që kanë lidhje me aktivitete të paligjshme në SHBA, përfshirë përmirësimin e efikasitetit të hetimeve dhe ndjekjeve penale”, thuhet në raport.

Alarm për ndikimin ekonomik dhe politik të Kinës dhe Rusisë

SHBA e konsideron varësinë nga gazi rus si kërcënim strategjik për rajonin.

“Varësia energjetike nga Rusia mbetet një dobësi strategjike për rajonin. Diversifikimi i furnizimeve me energji, përfshirë burimet e bollshme energjetike amerikane, rrit stabilitetin dhe prosperitetin rajonal”, thuhet në dokument.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e raportit është paralajmërimi për Rusinë dhe Kinën.

“Kina dhe Rusia po kërkojnë në mënyrë aktive të shfrytëzojnë paqëndrueshmërinë, korrupsionin dhe qeverisjen e dobët në rajon. Moska ushqen tensionet etnike, financon aktorë destabilizues dhe përdor furnizimet me hidrokarbure për të ushtruar presion mbi politikanët dhe për të dobësuar besimin tek institucionet perëndimore. Kina po zgjeron ndikimin e saj përmes tregtisë, kredive shtetërore, ryshfetit, propagandës dhe partneriteteve me elitat politike”, thekson raporti.

Krimi i organizuar ballkanik, “kërcënim direkt” për SHBA

Raporti ndalet gjatë edhe tek krimi i organizuar në Ballkan, të cilin SHBA e konsideron kërcënim direkt për sigurinë kombëtare amerikane dhe për territorin amerikan. Sipas dokumentit, rrjetet kriminale ballkanike kanë lidhje me kartelet e drogës në Amerikën Latine dhe janë të përfshira në trafik droge, pastrim parash dhe emigracion të paligjshëm drejt SHBA-së.

“Grupet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe territorin amerikan. Rrjetet kriminale të Ballkanit kanë krijuar lidhje që forcojnë dhe pasurojnë kartelet e drogës në hemisferën perëndimore, të shpallura organizata të huaja terroriste, të cilat trafikojnë narkotikë të paligjshëm dhe kanë lehtësuar emigracionin ilegal drejt Shteteve të Bashkuara. Kjo administratë do t’i godasë dhe çmontojë këto rrjete kudo që operojnë, siç u demonstrua në vitin 2025 me shpalljen e disa shtetasve të Ballkanit Perëndimor të lidhur me kartele të shpallura organizata terroriste që veprojnë në hemisferën perëndimore”, thuhet në raport.

Në fund, raporti e bën të qartë se angazhimi amerikan në Ballkan do të jetë gjithnjë e më shumë i lidhur me interesat konkrete amerikane dhe jo me projekte të hapura pa fund.

“Administrata po orienton burimet drejt aktiviteteve që prodhojnë përfitime të qarta dhe të matshme për interesat amerikane, duke i dhënë prioritet rezultateve konkrete dhe afatshkurtra”, përfundon dokumenti.