MaqedoniTop Lajme

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi e vizitoi Universitetin e Tetovës dhe bashkëbisedoi me studentët

Shpërndaje

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, realizoi sot një vizitë në Universitetin e Tetovës, ku u prit nga Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati, Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Ibrahim Neziri, Prorektorja për Financa, Prof. Dr. Aida Baftjari -Yzeiri, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihi, Sekretari i Përgjithshëm, z. Adem Beadini dhe kryetari i Kuvendit Universitar të Studentëve, Leart Ibrahimi. Gjatë takimit, drejtuesit e Universitetit të Tetovës i prezantuan zhvillimet më të rëndësishme institucionale, duke vënë theks të veçantë në avancimin e procesit arsimor, fuqizimin e veprimtarisë shkencore dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Ata nënvizuan reputacionin që Universiteti i Tetovës gëzon sot në hapësirën rajonale dhe ndërkombëtare, si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm për cilësi dhe zhvillim.

Në këtë kontekst, përfaqësuesit e universitetit e informuan Kryetarin e Kuvendit për aktivitetet aktuale shkencore, duke veçuar organizimin e Kongresit të fundit Shkencor Ndërkombëtar, si dhe arritjet në fushën e indeksimit ndërkombëtar të revistave shkencore të njësive akademike. Njëkohësisht, theksuan nevojën për hartimin e një strategjie afatgjatë për zhvillimin e arsimit të lartë dhe për krijimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse bashkëpunuese mes institucioneve relevante, me qëllim ngritjen e vazhdueshme të cilësisë në arsim dhe kërkim shkencor.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, riafirmoi mbështetjen e tij për komunitetin akademik dhe studentët, duke theksuar se arsimi duhet të mbetet një nga prioritetet kryesore të institucioneve shtetërore. Ai vlerësoi rolin historik të Universitetit të Tetovës, duke e cilësuar atë si një institucion që lindi nga përkushtimi dhe vullneti i qytetarëve për arsimim në gjuhën shqipe, ndërsa shprehu gatishmërinë për të kontribuuar në tejkalimin e sfidave me të cilat përballet arsimi i lartë dhe në krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e dijes.
Në kuadër të projektit të Karvanit Parlamentar “Kuvendi te të rinjtë”, të organizuar nga Instituti Parlamentar në bashkëpunim me NDI-në dhe Ambasadën e Zvicrës, Kryetari Gashi zhvilloi një bashkëbisedim të hapur me studentët e Universitetit të Tetovës.

Ky aktivitet kishte për qëllim afrimin e Kuvendit me të rinjtë, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale, si dhe inkurajimin e pjesëmarrjes aktive të studentëve në proceset demokratike dhe vendimmarrëse. Gjatë debatit u trajtuan tema që lidhen me kulturën politike, funksionimin e Kuvendit, përgjegjësitë e deputetëve dhe rolin e të rinjve në jetën publike.

Duke iu drejtuar studentëve, Kryetari Gashi i inkurajoi ata të jenë aktivë, kritikë dhe kërkues ndaj institucioneve, duke theksuar se ndryshimet shoqërore dhe politike mund të realizohen vetëm përmes dialogut të hapur, pjesëmarrjes qytetare dhe përballjes me sfidat e kohës.

Aktiviteti u përmbyll me një sesion interaktiv pyetje-përgjigje, gjatë të cilit studentët shfaqën interesim, duke ngritur çështje të ndryshme dhe duke ndarë drejtpërdrejt me përfaqësuesit e Kuvendit idetë, pritshmëritë dhe shqetësimet e tyre lidhur me proceset demokratike dhe zhvillimin e vendit.