LDK hapi fushatën me thirrje për unitet kombëtar dhe rikthim te Rugovizmi
Me një fjalim të mbushur me simbolikë shtetformuese, emocione politike dhe thirrje për bashkim kombëtar, kandidatja presidenciale e LDK-së, Vjosa Osmani, hapi zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 7 qershorit, duke u pozicionuar si vazhduese të trashëgimisë politike të Ibrahim Rugovës dhe si alternativë ndaj politikës së përçarjes në Kosovë.
Para mijëra mbështetësve në Prishtinë dhe mijëra të tjerëve që e ndoqën në gjithë Kosovën dhe diasporë, Osmani e ndërtoi të gjithë fjalimin rreth një mesazhi të vetëm: “Bashkohuni”.
“Kjo nuk është thirrje për një parti. Është thirrje për Kosovën”, deklaroi ajo mes brohorimave të turmës. Në një prej fjalimeve më të drejtpërdrejta politike të viteve të fundit, Osmani sulmoi ashpër kulturën e konfliktit dhe polarizimit që, sipas saj, ka lodhur qytetarët dhe ka izoluar vendin.
“Politika që nxit urrejtje, përçarje dhe frikë duhet t’i takojë së kaluarës”, tha ajo, duke paralajmëruar se zgjedhjet e 7 qershorit nuk janë vetëm garë mes partive, por “zgjedhje mes dy vizioneve për shtetin”.
Osmani e paraqiti Rugovizmin jo si nostalgji historike, por si projekt modern politik për të ardhmen e Kosovës.
“Rugovizmi nuk është relikt i së kaluarës. Është ideja më moderne që ka njohur politika shqiptare”, deklaroi ajo.
Në pjesën më të fortë të fjalimit, kandidatja e LDK-së e lidhi fatin strategjik të Kosovës me aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe integrimin euroatlantik, duke e cilësuar këtë orientim “përcaktim historik të Republikës”.
Ajo premtoi se Kosova, nën udhëheqjen e saj, do të jetë “shtet i institucioneve dhe jo shtet i një njeriu”.
Në sallë dominonin flamujt e Kosovës dhe të SHBA-së, ndërsa turma reagoi me ovacione sidomos kur Osmani foli për diasporën, të rinjtë dhe familjet që po përballen me emigrimin.
“Më shumë po ëndërrohet aeroporti sesa e ardhmja në Kosovë. Kjo duhet të ndryshojë”, tha ajo.
Fjalimi u mbyll me një apel emocional për qytetarët që të rikthehen te LDK-ja si “shtëpia politike e shtetformimit”.
“Më 7 qershor, bashkë fitojmë përsëri”, përfundoi Osmani.
Ndërsa kandidati për Kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës Lumir Abdixhiku gjatë tubimit hapës ka deklaruar se Kosova nuk e meriton zymtësinë e krijuar në vend.
Sipas tij, është LDK partia e cila do t’i jap ambicie këtij vendi
“Sonte, kemi ardhur para jush me një bindje të thjeshtë, por të fuqishme: se kjo gjendje nuk është fati ynë. Se çka po ju ofrohet nuk është fati ynë! Se Kosova mundet më shumë se kjo zymtësi. Se njerëzit tanë kanë nevojë për më shumë ambicie. Se këtij vendi do t’i japim ambicie”, tha Abdixhiku.
Ai tutje deklaroi se “Pikërisht për këtë arsye, sonte vijmë para jush me plan për të nesërmen. Një që e nxjerrë Kosovën nga fundi i trishtë, në vend me dinjitet, siguri, zhvillim e integrim euroatlantik”, përfundoi ai.

