Rikonstruktimi i Qeverisë: Stoilkoviq largohet, zëvendësohet nga një kuadër i VLEN
Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, deklaron se para largimit nga funksioni po e lë ministrinë “të rregulluar dhe të organizuar”, me një buxhet të zvogëluar më shumë se trefish krahasuar me vitin 2021 dhe me programin K-5 të shfuqizuar plotësisht.
Sipas Stoilkoviqit, buxheti i Ministrisë është ulur nga 577,8 milionë denarë në vitin 2021 në 173,5 milionë denarë në vitin 2026, pa u ndërprerë aktivitetet programore. Ai thekson se me këtë është ndërprerë praktika e shpenzimit të parave publike për qëllime të papërshtatshme.
Postimi:
NË VEND TË NJË KONFERENCE PËR SHTYP
Para largimit tim tashmë të pritshëm nga Ministria e Administratës Publike (MAP), dua të mbetet e shënuar se ministrinë, e cila dikur ishte në një “zonë gri” të sistemit, sot po ia lë pasardhësit tim të riorganizuar, të sistemuar me një strukturë të re dhe të rregulluar.
Nga shumë gjëra që janë realizuar, dua të theksoj dy:
E PARA, që ka të bëjë me ndërprerjen e plotë të shpenzimeve të panevojshme dhe jo të dedikuara të mjeteve buxhetore.
Për shembull, buxheti i Ministrisë në vitin 2021 ishte 577.780.000 denarë, ndërsa në vitin 2026 është 173.500.000 denarë, që do të thotë se, krahasuar me vitin 2021, është zvogëluar më shumë se tre herë.
Megjithatë, pavarësisht këtij reduktimi, janë realizuar të gjitha programet ekzistuese dhe është shtuar edhe një program i ri.
Kjo do të thotë se janë eliminuar fondet që më parë përdoreshin për qëllime të ashtuquajtura “korruptive” dhe se nuk ka më shpenzim të parave të qytetarëve për prokurime publike fiktive, si për shembull për shërbime hotelerie, shërbime konsulence, kontrata të dyshimta për punë, pagesa të shtesave në paga dhe të regresit vjetor (K-15) për persona që nuk paraqiteshin fare në punë, etj.
E DYTA, mbyllja e plotë e Programit K-5.
Para ardhjes së kësaj Qeverie, ministri i mëparshëm, duke shfrytëzuar mangësitë në legjislacion dhe të ashtuquajturin “balancues”, kishte krijuar praktikën “rri në shtëpi dhe merr pagë”.
Për shembull, vetëm në vitin 2021 bëhej fjalë për më shumë se 1.500 persona që paguheshin me paratë e qytetarëve, por nuk shkonin fare në punë.
Me Buxhetin e vitit 2026, procesi i rishpërndarjes së nëpunësve administrativë është përfunduar plotësisht dhe Programi K-5 është shfuqizuar.
Kështu, në këtë moment ka marrë fund praktika “rri në shtëpi dhe merr pagë”, ndërsa numri i të punësuarve në Ministrinë e Administratës Publike është racionalizuar.
Me Ligjin e ri për Përfaqësim të Përshtatshëm dhe të Drejtë, i cili ndodhet në procedurë parlamentare, do të sigurohet respektimi i parimit të përfaqësimit të drejtë si bazë për përfshirje dhe mundësi të barabarta në sektorin publik, duke garantuar njëkohësisht profesionalizëm, kompetencë dhe cilësi në punësim.
Kjo është me rëndësi kyçe për ndërtimin e një administrate publike profesionale, e cila duhet të jetë shtytëse e zhvillimit shoqëror dhe mbështetëse e proceseve reformuese në vend.

