MaqedoniTop Lajme

Kryeministri Albin Kurti viziton kampusin e ri të UNT-së, rektori Bekim Fetaji e njoftoi me progresin e punimeve

Shpërndaje

Shkup, 26.08.2026 – Sot, në hapësirat ku po ndërtohet kampusi i ri universitar, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, priti në një vizitë zyrtare kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti.

Në këtë takim mikpritës dhe solemn, i cili u zhvillua në ditën e shënimit të përvjetorit të lindjes së humanistes sonë të madhe, Nënë Terezë, morën pjesë personalitete të larta shtetërore e institucionale, mes të cilëve kryetari i Kuvendit të RMV-së, z. Afrim Gashi, Zëvendëskryeministri i Parë, z. Bekim Sali, kryetarët e Komunave Çairit dhe Tetovës, z. Izet Mexhiti dhe z. Bilall Kasami, ministri i Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, z. Agon Ferati, ministri i Ekonomisë dhe Punës, z. Besar Durmishi, si dhe drejtues të tjerë institucionesh.

Gjatë takimit, rektori Fetaji, i shoqëruar nga prorektorët Prof. Dr. Fati Iseni dhe Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela, njoftuan kryeministrin Kurti mbi ecurinë e punimeve, zhvillimin e infrastrukturës akademike dhe investimet kapitale që po realizohen në kampusin modern të UNT-së.
Gjithashtu, rektori Fetaji nënvizoi se Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup mban me krenari të jashtëzakonshme emrin e Nënë Terezës, duke pasur si mision të përhershëm që vlerat e saj universale të humanizmit, përkushtimit dhe dijes t’i shndërrojë në udhërrëfyes të arsimimit të gjeneratave të reja.

Kryeministri Albin Kurti përgëzoi udhëheqësinë e UNT-së për punën e palodhshme dhe vizionin e treguar në konsolidimin e infrastrukturës universitare, duke theksuar rëndësinë e veçantë që ka ky institucion i arsimit të lartë për zhvillimin arsimor, shkencor e shoqëror.