RajoniTop Lajme

Vuçiç shmang varrimin e Ratko Mlladiçit/ Dërgon të birin dhe ministrat, mijëra serbë nderojnë “Kasapin e Bosnjës”

Shpërndaje

Mijëra qytetarë serbë i kanë dhënë lamtumirën Ratko Mlladiçit, ish-komandantit ushtarak të serbëve të Bosnjës, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk mori pjesë në ceremoninë e varrimit, por mes të pranishmëve ishte djali i tij, Danilo Vuçiç, së bashku me disa ministra të qeverisë serbe.

Arkivoli me trupin e Mlladiçit u vendos që në mëngjes në Kishën e Apostullit dhe Ungjilltarit Shën Luka në Košutnjak, ku qytetarët zhvilluan homazhe. Pas shërbesës fetare, arkivoli u nxor nga kisha dhe kortezhi u nis drejt varrezave të Topçiderit.

Sipas raportimeve, mijëra njerëz u mblodhën pranë kishës për ceremoninë.

Përveç djalit të presidentit serb, të pranishëm ishin edhe disa anëtarë të qeverisë, mes tyre ministri i Mbrojtjes Bratislav Gashiç, ministri i Drejtësisë Nenad Vujiç, ministri pa portofol Nenad Popoviç, ministri i Kulturës Nikola Selakoviç dhe ministri i Investimeve Publike Darko Glishiç.

Nderimet publike për Mlladiçin kanë shkaktuar përplasje të reja mes Beogradit dhe Bashkimit Europian. Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Beograd, mes kritikave për glorifikimin e figurës së ish-komandantit serb.

Ratko Mlladiç ndërroi jetë në Hagë, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Ai ishte dënuar nga drejtësia ndërkombëtare, mes të tjerash, për gjenocidin e Srebrenicës të vitit 1995.