MaqedoniTop Lajme

Mickoski: 1,4 miliardë euro investime të huaja, dyfish më shumë se qeveria e mëparshme

Shpërndaje

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske lidhur me rezultatet që ka arritur Qeveria gjatë dy viteve të fundit në drejtim të tërheqjes së investimeve dhe se sa investime kanë hyrë gjatë periudhës së fundit, deklaroi:

„Shikoni, ajo që mund të them është se, nëse bëhet një analizë, le të themi për dy vitet e fundit, përkatësisht në këta 24-25 muaj që nga zgjedhja e kësaj Qeverie, niveli i përgjithshëm i investimeve të huaja është diku rreth një miliard e katërqind milionë euro, afërsisht.

Dhe tani, gjithmonë më thonë të mos krahasohem me të kaluarën, por ne duhet të krahasohemi edhe me Qeverinë e mëparshme, sepse ne jemi Qeveri që e kemi mundur Qeverinë e mëparshme, kemi ofruar një koncept të ri dhe jemi zgjedhur nga qytetarët dhe jemi aty ku jemi, prandaj duhet të krahasohemi, sado e keqe të ketë qenë ajo.

Nëse i krahasojmë këto dy vite me dy vitet e para, atëherë kur nuk kishte kriza, bëhet fjalë për një krahasim mes, afërsisht, një miliard e katërqind milionë eurove të kësaj Qeverie dhe rreth shtatëqind e pesëdhjetë milionë eurove që i kishte Qeveria e mëparshme. Shifrat janë të qarta, dallimi është i madh, pavarësisht nëse këtë do ta konvertojmë si shifër për kokë banori apo si shifër totale, bëhet fjalë për një dallim serioz.

Dje patëm fillimin e një investimi të madh, gjysmë miliard dollarë. Pronari i atij investimi tha se do ta dyfishojë atë investim. Praktikisht, ky nuk është as i pari dhe as i fundit, investimet vazhdojnë edhe më tej, bëhet fjalë për parkun me erë, i cili do të shtrihet në komunat e Radovishit, Shtipit dhe Karbincit.

Sot po vëmë në funksion një repart të ri prodhues në WIK, këtu në Prilep dhe vazhdojmë tutje.

Kështu që, Qeveria është tërësisht e orientuar drejt tërheqjes së investitorëve, do ta përsëris edhe komuniteti ndërkombëtar, përkatësisht investitorët e huaj, por edhe investitorët vendas, natyrisht.“