RajoniTop Lajme

Kurti: 106 milionë euro investim për energji të pastër – përuruam Parkun e Erës në Zatriq

Shpërndaje

Përmes një postimi në Facebook, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur përmes një videoje përurimin e Parkut të Erës në Zatriq, një investim prej 106 milionë eurosh që pritet të prodhojë rreth 185 gigavat-orë energji të pastër në vit.

Sipas Kurtit, kapaciteti i parkut, me 12 turbina nga 6.1 megavatë secila, do të mundësojë furnizimin me energji të rreth 45 mijë familjeve dhe pritet t’i kursejë Kosovës mbi 27 milionë euro në vit.

Postimi nga KURTI:

106 milionë euro investim, me prodhim vjetor prej rreth 185 gigavat-orëve energji të pastër që mbulon nevojat vjetore të energji për rreth 45 mijë familje, ky është Parku i Erës në Zatriq, të cilin e përuruam sot.
Me këtë park të ri të erës, po shtojmë një tjetër gur në themelet e një të ardhmeje energjetike më të pastër, më të sigurt dhe më të qëndrueshme në Kosovë. Me 12 turbina, secila me kapacitet fuqie prej 6.1 megavatë, ky park është një investim shumë i rëndësishëm në teknologjinë moderne dhe në kapacitetet tona të reja energjetike. Nga ky kapacitet vendi ynë pritet të kursejë mbi 27 milionë euro në vit.
Dua të shpreh mirënjohjen time për kompaninë EV Wind Park, për partnerët Çalık Renewables dhe Eurokos Holding, si dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në zhvillimin dhe realizimin e këtij projekti.