HORMUZI DREJT HAPJES! Pezeshkian diskuton rihapjen e Ngushticës, vendos kushte ndaj SHBA-ve
Presidenti iranian Pezeshkian ka lënë të hapur mundësinë e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, por e ka lidhur këtë hap me ndalimin e bllokadës detare amerikane dhe përfundimin e veprimeve ushtarake ndaj Iranit. Pezeshkian tha se Irani dhe Omani pritet të nënshkruajnë të hënën në Muskat një marrëveshje për krijimin e rrugëve të reja të lundrimit përmes ngushticës.
Rihapja e Ngushticës së Hormuzit mund të jetë sërish në tryezën e Iranit, por Teherani kërkon fillimisht ndryshimin e situatës ushtarake dhe detare në rajon.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka lënë të hapur mundësinë e rihapjes së korridorit strategjik, duke e lidhur këtë hap me ndalimin e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane dhe përfundimin e veprimeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit.
Deklarata u bë gjatë një interviste për televizionin indian “India Today”, ndërsa agjencia iraniane ISNA njoftoi se intervista e plotë pritet të publikohet më vonë nga zyra e presidentit.
Pezeshkian bëri të ditur gjithashtu se Irani dhe Omani pritet të nënshkruajnë të hënën në Muskat një marrëveshje për krijimin e rrugëve të reja të lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit.
Në ceremoninë e nënshkrimit pritet të marrin pjesë edhe ministrat e Jashtëm të vendeve arabe që kufizohen me Gjirin. Sipas presidentit iranian, marrëveshja do t’i paraqitet më pas Organizatës Ndërkombëtare Detare, IMO-s.
Ngushtica e Hormuzit është një prej pikave më strategjike të transportit detar në botë, veçanërisht për tregtinë e naftës dhe gazit. Para përshkallëzimit të konfliktit, përmes këtij korridori kalonte rreth 20 për qind e tregtisë globale të energjisë.
Teherani e ka bllokuar në praktikë lundrimin përmes ngushticës, përmes sulmeve dhe kërcënimeve ndaj anijeve. Në krahun tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një bllokadë detare ndaj porteve iraniane, krahas sanksioneve ekonomike, duke synuar të detyrojnë Iranin të rihapë korridorin.
Në këtë situatë, deklarata e Pezeshkianit sinjalizon një mundësi për zhbllokimin e një prej nyjeve më të rëndësishme të tregtisë botërore, por vetëm nëse plotësohen kushtet e vendosura nga Teherani.
Presidenti iranian ndodhet aktualisht në Indi, ku po merr pjesë në samitin e BRICS. Organizata përfshin Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut, si dhe Arabinë Saudite, Iranin, Egjiptin, Etiopinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Indonezinë.

