MaqedoniTop Lajme

Mexhiti pas vendimit në Hagë: Zhgënjyes dhe thellësisht i padrejtë për popullin e Kosovës

Shpërndaje

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe zhgënjyes.

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Mexhiti ka deklaruar se vendimi i sotëm është “zhgënjyes dhe thellësisht i padrejtë” për popullin e Kosovës dhe shqiptarët.

“Vendimi i sotëm i Hagës për krerët e UÇK-së është zhgënjyes dhe thellësisht i padrejtë për popullin e Kosovës dhe gjithë kombin tonë”, ka shkruar Mexhiti.

Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar një luftë që ai e cilëson si të drejtë dhe mbrojtëse, me synimin për liri dhe pavarësi.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të pastër, mbrojtëse dhe të drejtë për liri, pavarësi dhe dinjitet”, është shprehur ai.

Mexhiti ka thënë se historia e Kosovës nuk duhet të njolloset apo të ndryshohet përmes vendimeve gjyqësore, duke e lidhur këtë me atë që ai e konsideron si të vërtetën historike për luftën e UÇK-së.

“Historia e lavdishme e popullit tonë nuk mund të tjetërsohet, as të njolloset me vendime që i shërbejnë padrejtësisë e jo të vërtetës”, ka deklaruar bashkëkryetari i VLEN-it.

Ai ka bërë thirrje që beteja për drejtësi dhe për interpretimin e historisë së luftës së Kosovës të vazhdojë edhe më tej.

“Beteja për historinë e vërtetë dhe për drejtësi meriton dhe duhet të vazhdojë deri në fitoren e saj”, ka shkruar Mexhiti.

Në fund të reagimit, ai ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë kundër dënimit të UÇK-së.

“Jo dënimit të UÇK-së në emrin tonë!”, ka përfunduar Mexhiti.