“Gjykata Speciale, ndërmarrje kriminale”, Ali Ahmeti: Në Hagë u shpif për çlirimtarët! Diplomacia të vihet në funksion
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka folur për procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK në Hagë, duke e lidhur nisjen e këtij procesi me raportin e Dick Marty-t dhe zhvillimet që pasuan.
Ahmeti tha se raporti i paraqitur në Parlamentin Europian, sipas tij, përmbante akuza dhe pretendime që e denigronin UÇK-në duke e paraqitur atë si një ndërmarrje kriminale. Sipas tij, kjo situatë i vuri në një pozitë të vështirë drejtuesit e luftës dhe institucionet e Kosovës.
Ahmeti ngriti edhe çështjen e kohëzgjatjes së qëndrimit në paraburgim dhe mundësive që, sipas tij, mund të shfrytëzohen përmes diplomacisë dhe ndryshimeve ligjore.
Ai shtoi se ekzistojnë, sipas tij, rrugë të ndryshme ligjore dhe diplomatike që mund të çojnë drejt një përfundimi të qëndrueshëm dhe që do të kontribuonte në paqe.
Ahmeti paralajmëroi kundër asaj që ai e sheh si përpjekje për ta paraqitur UÇK-në si “ushtri kriminale”, duke theksuar se Kosova, sipas tij, vazhdon të përballet me kundërshtarë që nuk e duan konsolidimin e shtetit të Kosovës.
“Për ta vënë në bankën e akuzës Amerikën, NATO-n dhe vendet e Amerikës Perëndimore që bënë përpjekje për çlirimin e Kosovës. Ky proces ka nisur me dokumentet që i ka paraqitur Dick Marty në Parlamentin Europian, me qindra faqe ku falsifikohej dhe denigrohej, shpifje se UÇK-ja ishte një ndërmarrje kriminale. Ky ka qenë momenti që i ka vënë në situatë të palakmueshme drejtuesit e kësaj lufte dhe u soll ky vendim, pavarësisht se ka njerëz që thonë se kemi bërë gabim që e pranuam.
Këta njerëz që drejtonin shtetin kanë qenë të vetëdijshëm që ky gur do t’i hiqet nga qafa kombit dhe Ushtrisë Çlirimtare. Procesi u devijua nga ndërmarrja kriminale dhe u shndërrua në një akuzë të tjetërsuar, me shpifje nga antishqiptarë që sot e kësaj dite veprojnë në Kosovë.
Nuk duhet të biem në grackën e propagandës që kanë ushtruar armiqtë tanë ndër vite. Ky proces ka nisur për librin e Dick Martyt, që qarkullon në kancelari dhe denigrohet dhe shpallet terroriste Kosova dhe Shqipëria, sepse në këtë aktakuzë këto zona të Shqipërisë, pa e përmendur Shtëpinë e Verdhë në Mat. Shqipëria krejt veriore futet në librin e tij.
Ligji mund të ndryshohet, por diplomacia mund të vihet në funksion. Pse të akuzuarit duhet të qëndrojnë 18 muaj të presin apelin? Pse të mos lirohen me garanci të shtetit të Kosovës dhe të ktheheshin në familje? Pse të mos bëhej ndryshimi i ligjit, të mos kapen pas akuzës kryesore që ka filluar dhe kanë votuar Thaçi dhe Veseli për ndryshimin e Kushtetutës?”
Ka shumë rrugë që mund të na shpien drejt një përfundimi të qëndrueshëm që kontribuon në paqe. Të denigrosh dhe të shpallësh UÇK-në si ushtri kriminale, ka shumë armiq. Shteti i Kosovës ka shumë armiq që nuk e duan jetësimin e shtetit të Kosovës.”

