Shasivari: Në tetor do të prezantohet zgjidhja e re për provimin e jurisprudencës
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka paralajmëruar se në pjesën e parë të tetorit do të zhvillohet një takim institucional me përfaqësues të asociacioneve studentore dhe dekanët e fakulteteve juridike, ku do të prezantohet dhe demonstrohet praktikisht zgjidhja e propozuar për provimin e jurisprudencës.
Sipas Shasivarit, takimi do të organizohet pasi të nisë viti i ri akademik, me qëllim që studentëve t’u shpjegohet në mënyrë konkrete mënyra e funksionimit të zgjidhjes së re.
Ministri bëri të ditur se deri tani janë parashtruar pesë kërkesa nga asociacione studentore për zhvillimin e provimit në gjuhë të ndryshme. Tre prej tyre kërkojnë zhvillimin e provimit në gjuhën shqipe, një në gjuhën angleze, ndërsa një tjetër në gjuhën angleze dhe turke.
Shasivari theksoi se kërkesat lidhen me faktin se në pesë universitete zhvillohen studime juridike të ciklit të parë dhe të dytë në këto gjuhë.
Ai shtoi se gjatë hartimit të zgjidhjes do të merren parasysh edhe standardet ndërkombëtare dhe evropiane, duke theksuar rëndësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse.

