Italia ndalon burkën/ Dekreti lejon përdorimin e shamisë nga gratë myslimane
Qeveria italiane e Kryeministres Giorgia Meloni ka miratuar një dekret të ri për shkollat, i cili sjell disa rregulla të reja për nxënësit dhe familjet. Sipas dekretit, në shkolla nuk lejohet mbulimi i plotë i fytyrës me burka, ndërsa shamia normale e njohur si Hixhab do të vijojë të përdoret.
Nëse rregullat do të thyhen, dekreti parashikon gjoba nga 200 deri në 1000 euro, gjoba këto të cilat, në rastet e të miturve, do t’iu vendosen prindërve.
Ashtu siç kishte premtuar, Kryeministrja Italiane ka vënë në zbatim edhe masat për kufirin në masën 30% të nxënësve të huaj në klasat Italiane. Ajo që në fillim u duk një masë ekstreme tashmë duket se është një lëvizje që do të sjellë integrim më të mirë për shtetasit e huaj dhe fëmijët e tyre që jetojnë në Itali.
Dekreti parashikon që nxënësit pa shtetësi italiane dhe me përgatitje të pamjaftueshme shkollore të mos përbëjnë më shumë se 30% të nxënësve në një klasë. Por krahas kësaj mase, Qeveria Italiane ka krijuar një fond prej 17.5 milionë eurosh për forcimin e mësimit të gjuhës italiane.
Në rastet kur fëmijët, por edhe prindërit e tyre, nuk kanë njohuri të mjaftueshme të gjuhës Italiane, prindërit mund të detyrohen të ndjekin një kurs falas të gjuhës. Mosndjekja e kursit mund të sjellë gjobë nga 200 deri në 1,000 euro.
Masa prej jo më shumë se 30% nxënës të huaj në klasat Italiane nuk do të zbatohet në mënyrë automatike dhe të prerë. Në arsimin fillor, ai prek nxënësit që nuk kanë lindur në Itali ose që nuk kanë ndjekur të paktën dy vite të kopshtit. Në arsimin e mesëm, masa lidhet me nxënësit që nuk kanë përfunduar me sukses të paktën tre vite shkollimi. Masat kanë shkaktuar edhe kritika nga Sindikatat e arsimit, të cilët thonë se këto masa janë “propagandistike” dhe të shkëputura nga realiteti i shkollave italiane. Këto Sindikata kanë deklaruar se është e vështirë që të tilla masa të hyjnë në fuqi, teksa viti shkollor ka filluar tashmë.

