Kurti kërkon angazhim për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp, të cilin e falënderoi për vizitën dhe dialogun e vazhdueshëm.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në takim u diskutua për të drejtat e komuniteteve, përdorimin e gjuhëve dhe qasjen në arsim e shërbime publike, si dhe për zbatimin e ligjit në mbrojtje të pronës publike, mjedisit dhe burimeve ujore.
Kryeministri theksoi se barazia para ligjit është themel i Republikës sonë: të drejtat mbrohen dhe detyrimet zbatohen njësoj për të gjithë pa dallim.
“Kryeministri Kurti tha se Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejta të gjera për komunitetet joshumicë, në shumë aspekte përtej standardeve evropiane të mbrojtjes. Ndërsa shtoi se këto garanci duhet të gjejnë shprehje të plotë në jetën institucionale e shoqërore, përmes angazhimit aktiv të pjesëtarëve dhe përfaqësuesve të tyre, në respektim të ligjeve në fuqi. Ai më tej tha se mbrojtja e të drejtave dhe zbatimi i ligjit e përforcojnë njëra-tjetrën; përkatësia nuk mund të jetë bazë as për cenimin e të drejtave, as për përjashtimin nga detyrimet ligjore”, thuhet në njofti.
Kryeministri Kurti ngriti shqetësimin për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nga autoritetet e Serbisë, përmes pasivizimit të adresave, pengesave në arsim dhe nënpërfaqësimit në institucionet publike.
“Ai kërkoi angazhim të drejtpërdrejtë dhe ndjekje konkrete të këtyre çështjeve: Serbia duhet të përmbushë standardet evropiane për mbrojtjen e komuniteteve, të garantojë barazi reale për shqiptarët dhe të respektojë të drejtat e njeriut e ato civile. Të drejtat e tyre nuk mund të mbeten peng i vullnetit politik të një sistemi autokratik”, thuhet në njoftim.
Qeveria e Republikës së Kosovës ritheksoi do të vazhdojë bashkëpunimin me Zyrën e Komisionerit Kamp, me bindjen që të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe sundimi i ligjit janë obligime komplementare dhe jo parime që garojnë me njëra-tjetrën.

