Bedri Hamza jep dorëheqje të parevokueshme nga pozita e Kryetarit të PDK-së
Kryetari Bedri Hamza e ka njoftuar sot Kryesinë e PDK-së për dorëheqjen e tij të parevokueshme nga udhëheqja e partisë.
Hamza tha se ky vendim i hapë rrugë një procesi të ri zgjedhor brenda PDK-së, përmes të cilit anëtarët do të vendosin për drejtimin e ardhshëm të partisë, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes më të madhe të të rinjve dhe mundësive që ata të marrin përgjegjësi.
Hamza pohoi se përgjegjësitë që ka marrë nga viti 2020, pas dërgimit në Hagë të ish-udhëheqësve të PDK-së, përfshirë kandidimin për Kryetar të Mitrovicës, kandidimin tri herë radhazi për kryeministër dhe udhëheqjen e partisë, i ka marrë për shkak të përgjegjësisë ndaj PDK-së e Kosovës dhe jo nga ambiciet personale.
Ai tha se gjatë udhëheqjes së tij është përqendruar në ruajtjen e unitetit të partisë, strukturave të saj dhe besimit të anëtarëve e të votuesve.
“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike”, u shpreh ai.
Hamza foli edhe për vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke shprehur zhgënjimin e tij me padrejtësinë në Hagë dhe duke theksuar se përpjekjet për drejtësi, zbardhjen e së vërtetës dhe kthimin e tyre pranë familjeve dhe Kosovës do të vazhdojnë.
Në fund, Hamza falënderoi të gjithë anëtarët, strukturat dhe mbështetësit e PDK-së për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme.
Ai theksoi se interesi i partisë dhe i vendit duhet të jetë gjithmonë mbi interesin personal.
“Unë nuk e dua PDK-në vetëm për ta udhëhequr. E kam dashur dhe do ta dua edhe pa e udhëhequr”, përfundoi Hamza.
Postimi:
Qytetarë të dashur,
Sot kam dhënë dorëheqje nga pozita e Kryetarit të PDK-së, me bindjen se çdo përgjegjësi e ka kohën e vet.
Kur liderët tanë u dërguan në Hagë, marrja e përgjegjësive për ne nuk ishte çështje ambicieje personale. Ishte, është dhe duhet të mbetet çështje përgjegjësie dhe besnikërie ndaj asaj që së bashku e kemi ndërtuar.
Për këtë arsye, pranova të kandidoja për Kryetar të Mitrovicës në vitin 2021, për Kryeministër në shkurt dhe dhjetor të vitit 2025, si dhe në qershor të këtij viti. Po për këtë arsye, në nëntor të vitit 2025, mora përgjegjësinë për ta udhëhequr PDK-në.
Të gjitha këto vendime i mora për ta ruajtur familjen tonë politike, për t’i mbrojtur të arriturat tona dhe për të mos lejuar që puna e shumë viteve të zhbëhej pikërisht atëherë kur kishim më së shumti nevojë për njëri-tjetrin.
Dikur u bashkuam për ta fituar lirinë dhe për ta ndërtuar shtetin. Sot, kemi përgjegjësi ta ruajmë atë që kemi arritur dhe t’u lëmë brezave të ardhshëm një PDK dhe një Kosovë më të mirë.
Unë do të jem gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe të Kosovës.
Faleminderit të gjithëve për besimin, mbështetjen dhe mirëkuptimin!

