RajoniTop Lajme

Kurti takon Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos në kuadër të Procesit të Berlinit

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Shën Stefan të Malit të Zi, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, transmeton albazone media.

Në fokus të takimit ishin reformat evropiane të Kosovës, avancimi i procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe nevoja për hapa konkretë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim. Kurti theksoi rëndësinë e funksionalitetit institucional, përparimit demokratik dhe zbatimit të marrëveshjeve rajonale.

Postimi:

Takimin e parë në Shën Stefan në Mal të Zi në margjina të Samitit të Procesit të Berlinit, e pata me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Me institucione plotësisht funksionale Kosova do t’i përshpejtoj reformat. Javën e kaluar miratuam ligjin e fundit për integrim në SEPA, që do t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit, ndërkohë shpejt fillojnë negociatat për “Roam like at Home” për t’ju bashkuar zonës pa tarifa shtesë.
Përparimi ynë demokratik, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta dhe linjëzimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së duhet të reflektohen në hapa konkretë. Është e rëndësishme dhe e nevojshme, mbështetja proaktive e Komisionit për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
Në Procesin e Berlinit, Kosova i ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet, përfshirë atë për njohjen e diplomave, të cilat duhet t’i zbatojnë të gjithë, përkatësisht edhe fqinji ynë verior, Serbia.