Adnan Azizi: BDI nuk pranoi kandidat të përbashkët shqiptar për Bërvenicën
Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, në intervistën për Pollogu.news, ka komentuar rezultatin zgjedhor në Bërvenicë, duke theksuar se humbja e pretenduar e VLEN-it nuk duhet interpretuar si disfatë politike e tyre.
Sipas tij, në këtë garë fitoi kandidati lokal nga fshati më i madh i komunës.
Azizi ka kritikuar qëndrimin e BDI-së gjatë procesit zgjedhor, duke deklaruar se VLEN-i kishte mbështetur kandidatin e tyre në Çashkë, ndërsa në Bërvenicë nuk u arrit një marrëveshje për kandidat të përbashkët shqiptar.
“Ne ju dhamë përkrahje në Çashkë, ndërsa ata na nxorën kundërkandidat në Bërvenicë“, deklaroi Azizi, duke shtuar se BDI-ja nuk pranoi propozimin për një kandidat të përbashkët shqiptar në këtë komunë.
Duke analizuar rezultatin, deputeti i VLEN-it pranoi se koalicioni nuk arriti ta mobilizojë plotësisht elektoratin e vet. Si një nga faktorët që, sipas tij, ndikuan në këtë rezultat, ai përmendi edhe Haqim Ramadanin.
“Haqim Ramadani e kishte fitoren e sigurt. Ai u ktheu shpinën strukturave të VLEN-it dhe u afrua me eksponentë të BDI-së. Në zgjedhjet e ardhshme në komunën e Bërvenicës, VLEN-i do të dalë fitues“, u shpreh Azizi.
Sa i përket raundit të dytë në Bërvenicë, Azizi bëri të qartë se VLEN-i do ta vendosë interesin kombëtar mbi atë partiak, duke mbështetur kandidatin shqiptar.
Sipas tij, përfaqësuesit e VLEN-it kanë shkuar edhe në shtabin e kandidatit shqiptar për t’i uruar fitoren, duke konfirmuar kështu qëndrimin e tyre për mbështetje në raundin e dytë.
“Në raundin e dytë në Bërvenicë e kalojmë interesin partiak. Jemi në interesin kombëtar dhe përkrahim kandidatin shqiptar. Në Bërvenicë u kemi shkuar në shtab, u kemi uruar fitoren dhe do ta përkrahim kandidatin shqiptar“, deklaroi Azizi.
Në fund, deputeti i VLEN-it i dërgoi një mesazh BDI-së, duke thënë se kjo parti duhet të mobilizojë strukturat e veta dhe të mos ua atribuojë të tjerëve përgjegjësinë për rezultatet zgjedhore.
“BDI-ja duhet ta mobilizojë strukturën e vet, e jo, nëse humb, ta hedhë fajin te VLEN-i“, përfundoi Azizi.

