U arratis nga Brazili, Trump i hap dyert Bolsonaros: Të rrijë sa t’i dojë kokrra e qejfit!
Donald Trump ka shprehur gatishmërinë për të lejuar qëndrimin e Flavio Bolsonaros në SHBA, pasi ish-kandidati presidencial u largua nga Brazili pas humbjes së zgjedhjeve.
Presidenti amerikan e bëri të ditur qëndrimin e tij gjatë një aktiviteti për Halloween në rezidencën Mar-a-Lago, në Florida. Ai kundërshtoi gjithashtu rezultatin e zgjedhjeve braziliane, megjithëse vëzhguesit ndërkombëtarë e kanë vlerësuar procesin si të lirë dhe të ndershëm.
Bolsonaro ndodhet në SHBA përmes një lejeje humanitare qëndrimi, e cila zakonisht ka një kohëzgjatje prej një viti. Largimi i tij nga Brazili erdhi pasi një gjyqtar i Gjykatës së Lartë urdhëroi heqjen e pasaportës së politikanit.
Autoritetet braziliane po zhvillojnë dy hetime federale ndaj tij për dyshime mbi pastrim parash. Policia kishte ngritur shqetësimin se Bolsonaro mund të largohej nga vendi për t’iu shmangur procedurave të drejtësisë.
Ndërkohë, administrata amerikane po vijon kontaktet diplomatike me Brazilin. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi një bisedë me ministrin e Jashtëm brazilian, Mauro Vieira, gjatë takimit të G20 në Atlanta.
Dy kryediplomatët parashikojnë të takohen përsëri muajin e ardhshëm në Francë, gjatë samitit të ministrave të Jashtëm të G7, ku Brazili pritet të marrë pjesë me statusin e vëzhguesit.

