Mickoski pas humbjes në Bërvenicë: Ishim të vetëm kundër të gjithëve!
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka reaguar pas humbjes së kandidatit të VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet lokale në Bërvenicë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mickoski ka deklaruar se partia e tij ishte përballur me të gjithë, duke pretenduar se kundërshtarët kishin përdorur kartën etnike dhe, siç është shprehur ai, ndonjë “kalë trojan” për të tërhequr vota.
Postimi i plotë:
Vetëm kundër të gjithëve. Ne me program dhe koncept zgjedhor, ndërsa ata me mbështetjen e demografisë, kartën nacionaliste dhe me ndonjë “kalë Troje” për të devijuar votat.
Megjithatë, rritja e numrit të votave nga raundi i parë është i qartë dhe i pastër: nga 3.000 në 4.200 vota. Krahasuar me zgjedhjet parlamentare, kemi një rritje prej 1.300 votash, por fatkeqësisht kjo nuk mjaftoi për një fitore të plotë.
Faleminderit të gjithë banorëve të Bërvenicës që votuan për ne, por edhe atyre që nuk na dhanë votën e tyre. Të gjithë banorët e Bërvenicës do ta kenë mbështetjen e Qeverisë.
„Një Bërvenicë për të gjithë“ është më shumë se një koncept – është mënyra jonë e të vepruarit.

