MaqedoniTop Lajme

Mexhiti dhe Kasami urojnë Arkin Jahijin, liderët e VLEN-it bëjnë thirrje për tejkalimin e ndasive pas zgjedhjeve në Bërvenicë

Shpërndaje

Pas përfundimit të procesit zgjedhor në Komunën e Bërvenicës, dy nga drejtuesit e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, kanë reaguar publikisht, duke përcjellë mesazhe për respektimin e vullnetit të qytetarëve, tejkalimin e përplasjeve politike dhe bashkëpunimin në interes të të gjithë banorëve.

Postimi nga Mexhiti:
Zgjedhjet mbaruan. Sot Bërvenica ka kryetar komune, ndërsa jeta vazhdon dhe të gjithë ne u kthehemi obligimeve tona.
Deklaratat nxitëse gjatë fushatës i kam konsideruar si folklor parazgjedhor. Në po atë frymë, deklaratat polarizuese që dëgjova mbrëmë dhe sot i trajtoj folklor paszgjedhor. Votat janë shprehje e lirë e vullnetit të qytetarëve dhe askush nuk i ka në pronësi ato. Në politikë, pozicionimi kundër të gjithëve nuk është strategji që çon drejt suksesit, por një qasje që herët a vonë prodhon zhgënjim.
Në demokracitë multietnike nuk guxon të ekzistojë ndarje në ‘ne’ dhe ‘ata’, sepse kjo implikon pabarazi dhe tendenca për të suprimuar tjetrin. Dialogu dhe bashkëpunimi në çdo shoqëri janë imperativ dhe parakusht për funksionim të mirëfilltë. Në shoqëritë multietnike, ky dialog është detyrim i të gjithë aktorëve shoqërorë.
Prandaj, nuk kemi pse të merremi me folklorin e zakonshëm postzgjedhor, me arsyetimet dhe interpretimet që u serviren qytetarëve sa herë që rezultatet nuk përputhen me pritshmëritë e dikujt. Qytetarët vendosin me votë, ndërsa politika duhet të dijë të marrë përgjegjësi për qëndrimet dhe veprimet e veta.

Postimi nga Kasami:
Kryetarit të ri të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahijit, i uroj mandat të suksesshëm dhe të mbarë. Ai duhet t’u qëndrojë besnik premtimeve parazgjedhore dhe të punojë për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie partiake, feje apo etnie.
Qytetari ka gjithmonë të drejtë, pavarësisht motiveve me të cilat gjykon. Kjo duhet respektuar.
Si koalicion qeverisës, jemi pranë qytetarëve të Bërvenicës për të gjitha nevojat në kompetencë të Qeverisë.
Vazhdojmë me punë për të gjithë qytetarët pa dallim!