BotaTop Lajme

Luftë apo marrëveshje me Iranin? Trump përballet me presion nga këshilltarët

Shpërndaje

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nuk po nxiton të vendosë se a duhet të rikthejë luftën kundër Iranit, duke deklaruar për Channel 12 se presioni me sanksione ekonomike të SHBA-së po e dobëson Teheranin dhe se populli iranian është lodhur nga kjo situatë.

Trump shprehet se negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit, me ndërmjetësimin e Katarit, po ecin mirë. Sidoqoftë, ai shton se SHBA nuk është e sigurt se kush po merr vendimet përfundimtare në Iran dhe nuk dëshiron të mashtrohet apo të zvarritet sërish nga palët.

Presidenti amerikan gjithashtu tha se liderët e Iranit po tregojnë më pak urgjencë nga sa priste ai, edhe pse ata kërkojnë me ngulm një marrëveshje më shumë se në çdo moment tjetër që nga fillimi i luftës.

Sipas raportimeve të Channel 12, Trump po përballet me këshilla të ndryshme nga rrethi i tij lidhur me hapat e mëtejshëm. Një grup këshilltarësh të tij, së bashku me udhëheqësit e shumicës së vendeve të Gjirit, favorizojnë arritjen e një marrëveshjeje diplomatike, duke argumentuar se një goditje tjetër nuk do ta ndryshonte ndjeshëm situatën.

Në krahun tjetër, disa të tjerë favorizojnë rinisjen e luftës dhe përmbushjen e objektivave të saj ushtarake, një qëndrim ky i mbështetur nga Kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili pretendohet se i ka bërë presion Trump-it që të ripërtërijë luftimet gjatë një bisede telefonike mes dy liderëve të shtunën.

Gjithashtu, një grup i tretë këshilltarësh, i udhëhequr nga Sekretari i Thesarit Scott Bessent, po i bën thirrje Trump-it që të ruajë bllokadën detare të SHBA-së dhe sanksionet ekonomike, dhe të presë për të parë nëse Irani do të zbutë pozicionin e tij gjatë javëve apo muajve të ardhshëm.